A po i bën Ballkani Perëndimor “karshillëk” BE-së? Kovaçevski, Rama e Vuçiq nesër vendosin se a shkojnë në Samitin e BE

TË FUNDIT

Maqedonia e Veriut, Shqipëria e Serbia e kanë në pikëpyetje pjesëmarrjen e tyre në Samitin BE- Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet në Bruksel. Liderët e 3 vendeve, Dimitar Kovaçevski, Edi Rama dhe Aleksdandar Vuçiq sot kanë zhvilluar një takim të jashtëzakonshëm online e në të cilin kanë vendosur që vendimin përfundimtarë do e thonë nesër.

-Folëm për pozicionet kombëtare të secilit vend, perspektivat rajonale si dhe dinamikën e procesit euro integrues. U morëm vesh që pas konsultimeve të brendshme shtesë, nesër paradite do ta sjellim vendimin përfundimtar për pjesëmarrjen tonë në Samitin e BE-Ballkanin perëndimor në Bruksel“, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Pesimist për hapjen e bisedimeve me Bashkimin Evropian sot ishte edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në konferencën e përbashkët me homologen e tij finlandeze Sana Marin.

“Ne folëm me kryeministren për atë që vjen në ditët e ardhshme, apo atë që nuk vjen në ditët e ardhshme, merreni si të dëshironi. I thash që unë nuk pres asgjë të re në këtë Këshill, megjithatë deri në fund BE, vendet evropian, Finlanda po përpiqet me Bullgarinë për të hapur një shteg të arsyes dhe për ta çliruar procesin”, pohoi Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.

Ndërkohë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dje në një deklaratë për mediat serbe tha se e enjtja e kësaj javë do të jetë interesante, duke lënë të nënkuptohet se është e mundur që 3 liderët e Ballkanit Perëndimor të mos marrin pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor.

“Sot në mëngjes bisedova me Edi Ramën dhe Dimitar Kovaçevskin për samitin e ardhshëm BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel. Kemi rënë dakord që pas konsultimeve me qeveritë dhe këshilltarët tanë, nesër në mesditë të shpallim vendimin nëse do të marrim pjesë në këtë mbledhje”, tha Aleksandër Vuçiq, president i Serbisë.

Konferenca e nivelit të lartë me Ballkanin Perëndimor do të mbahet një ditë para sesionit të Këshillit të BE-së, më 23-24 qershor që pritet të vendosë për integrimin e vendeve të rajonit.