Njohës të letërsisë, publicistë e shkrimtarë në Kosovë, vazhdojnë të kenë mendime të ndryshme në këtë çështje. Disa nuk e shohin internetin si rrezik për zbehjen e rëndësisë së librit të shkruar, por e mendojnë si një mundësi më shumë për ata që nuk mund të kenë secilin libër që dëshirojnë në mënyrë klasike. Disa mendojnë që interneti vetëm sa e ka fuqizuar librin e shtypur, pasi që i ka dalë si konkurrent. Ndërkaq, ka edhe të tillë që thonë se libri i shtypur duhet zhdukur fare.
Për të diskutuar rreth librit tradicional dhe atij elektronik, Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së ka mbledhur sot, në një tryezë të rrumbullakët, shkrimtarë, publicistë, studiues të letërsisë dhe përfaqësues të shtëpive botuese në Kosovë.
Nazmi Rrahmani nga shtëpia botuese “Faik Konica” thotë se përhapjen e internetit nuk e sheh si të dëmshme për librin. Ai nuk mendon se teknologjia çdo herë e më e avancuar po e zbeh rëndësinë e librit tradicional.
Por njësoi nuk mendon edhe shkrimtari Shkëlzen Gashi. Sipas tij, librit i shtypur po shkon çdo e herë e më shumë duke u kërkuar nga lexuesit. Madje, ai nuk pajtua as me temën e zgjedhur për t’u diskutuar sot. Gashi mendon se ka gjëra tjera që duhet diskutuar rreth problemeve tjera të librit.Këtu ai ndalet tek donacionet nga Ministria e Kulturës drejt botuesve. Por, që në fjalët e para, ai ndeshet me reagimet e botuesit Abdullah Zeneli i cili tregon se ka refuzuar donacione të tilla.Sipas Shkëlzen Gashit, Ministria e Kulturës nuk po mbështet aq sa duhet botuesit e librave.
Me të arritur teknologjia në Kosovë, kryesisht përdorimi i shumtë i rrjeteve sociale, shumë libra kanë mbetur vetëm në sirtarë. Këtë e vërën nëpër kafiteri të shumta, e madje edhe në biblioteka, në të cilat më së shumti mund të takosh studentë. Ka fare pak persona tjerë të interesuar për libra.Megjithatë, një numër i konsiderueshëm po i mbetet besnik librit tradicional. E, këta janë zakonisht njerëz në moshë më të shtyrë. Por, ka edhe nga ata që janë të lidhur ngushtë me leximin e veprave të ndryshme dhe me gjithë hovin e madh të teknologjisë, nuk heqin dorë nga fletët e librit të shtypur.
