Edhe rasti “Alfa” është një tjetër lëndë gjyqësore që ka 18 muaj që zvarritet në gjykatën e Apelit. Kjo gjykatë duhet të vendos mbi ankesat e palës mbrojtëse të të akuzuarit Almir Dërplanin, i cili pretendon se nuk është i përfshirë në rastin “Alfa”.
Me zvarritjen e kësaj procedurë, zvarritet edhe vendimi mbi kërkesën për rigjykim të rastit, kërkesë që është bërë në qershor të 2021. Ndërkaq vetëm për gabime administrative, lënda thuajse 3 muaj është endur herë në gjykatën e Apelit e herë në atë Penale.
“Lënda është kthyer dhe është caktuar seancë publike këtë të enjte në orën 11. Në seancë do të shqyrtohen të gjitha ankesat sado që të jenë. Pas seancës publike, trupi gjykues në pjesën e seancës që është e mbyllur për publikun, këshillohen dhe vendoset mbi lëndën. Vendimi shkruhet në letër dhe dërgohet deri te gjykata e shkallës së parë.”- deklaroi Gjykata e Apelit.
Për shkak se lënda po zvarritet një kohë të gjatë, dje Këshilli gjyqësor kërkoi që të shqyrtohen edhe shkaqet e vonesave në këtë lëndë. Mirëpo, Agim Islami i dënuar për rastin nuk i beson aspak këtij vendimi. Islami thotë se është dënuar pa asnjë faj, ndërsa ata që bën krime tani janë të lirë.
“E paskan formuar një grup pune në gjyqësor për të kontrolluar se si janë marrë vendimet në gjykatën e Apelit. Më habit fakti se edhe rasti jonë “Alfa” qenka në fokusin e tyre. Kjo është vetëm një defokusim tek popullata për balancimin e gjendjes aktuale në gjykata.”- tha Agim Islami, i dënuar.
Sipas anketës së fundit të IRI amerikan, vetëm 4 për qind e qytetarëve i besojnë plotësisht Gjyqësorit, ndërsa Prokurorisë vetëm 3 për qind. Jo rastësisht edhe ankesat më të mëdha që kanë bërë qytetarët deri te Avokati i popullit janë nga fusha e drejtësisë, deklaroi Naser Zyberi. Mbi 400 ankesa janë në përgjithësi për punën e gjykatave dhe përmbaruesve.
“Nëse e kemi parasysh ndodhitë e fundit në gjykatën e Apelit dhe vendimin për anulimin e aktgjykimit të shkallës së parë për rastin tani më të njohur, atëherë është e qartë si krijohet dhe pse krijohet ky perceptim te qytetarët për gjykatat. Nuk është e rastësishme humbja e besueshmërisë së qytetarëve ndaj vendimeve që merr gjyqësori. Unë mendoj se duhet bërë shumë më tepër për të ndryshuar kjo gjendje, por indikacionet flasin se nuk ka veprime në këtë drejtim”- deklaroi Naser Zyberi, Avokat i Popullit.
Nga Penalja thonë se kur do të merret vendim për procedurën ankimore në Apel dhe lënda do të kthehet në gjykatën Penale atëherë menjëherë do të sillet vendim për kërkesën për rigjykim të lëndës. Më 26 nëntor 2008, në parkingun e Fakultetit matematiko-natyror në Shkup, ishte vrarë polici shqiptar nga njësiti Alfa dhe ishin plagosur edhe dy kolegët e tij maqedonas me të cilët ai kishte qenë në patrullë. Në prill të vitit 2010, për këtë vrasje me burgim të përjetshëm u dënua tashmë i ndjeri Rexhail Qerimi nga fshati Opajë i Kumanovës dhe Agim Islami nga Shkupi.
