Pas disa anulimeve të njëpasnjëshme më në fund filloi seanca gjyqësore kundër “Besa Trans” dhe pronarit të kompanisë Bekim Haxhiu. Seanca filloi me marrjen në pyetje të përfaqësuesit nga Drejtoria e Doganave, Dragan Vasilevski. Në pyetje të prokurorit Vlladimir Milloshevski, Vasilevski tregoi për sistemin se si evidentohen autobusët që dalin nga shteti dhe për dokumentacionin që i duhet një autobusi të bëjë transport ndërkombëtarë.
Prokurori e pyeti Vasilevskin nëse autobusi i aksidentuar, me targa SK0284BA ka qenë i evidentuar gjatë daljes nga kufiri.
“Besa Trans, në sistem është evidentuar disa herë, pasi është transportues i rregullt, ekziston evidencë që ka dalë”, tha Dragan Vasilevski, përfaqësues i Drejtorisë së Doganave.
Avokati Asmir Alispahiq në pyetjen e kryqëzuar e pyeti Vasilevskin nëse autobusët e “Besa Trans” gjithmonë kanë pasur licencë valide dhe origjinale për transport ndërkombëtar! Pwr kwtw pyetje reagoi prokurori duke shtuar se dëshmitari Vasilevski askund nuk foli për origjinalitetin dokumentacionit që i është dhënë në kontroll doganës. Në riformulimin e pyetjes nga ana e Alispahiq, Vasilevski u përgjigj.
“Unë këtë nuk e di sepse unë si dëshmitarë nuk mundem të nxjerr përfundime, vetëm e thashë atë se çfarë është e nevojshme (dokumentacioni). Nëse i kanë pasur të gjitha dokumentet e nevojshme dhe përderisa kanë kaluar kufirin do të thotë se gjithçka ka qenë në rregull”, tha Dragan Vasilevski, përfaqësues i Drejtorisë së Doganave.
Vasilevski pohoi se një transportues nëse nuk i plotëson kushtet dhe dokumentacionin e nevojshëm nuk mund të kalojë kufirin e vendit. Sipas tij në kontrollet doganore që u janë bërë autobusëve të “Besa Trans” nuk ka pasur asnjëherë parregullsi në licencën për transport ndërkombëtarë.
“Me të vërtetë mbetet ende e pa qartë se për çfarë arsye prokuroria ende pohon se transportuesi “Besa Trans” ka bërë ose ribërë licencë që e ka përdorur si të vërtetë, përderisa në përputhje me sistemin “EKSIM” që është e vendosur në kontrollet e dokumentacioneve të nevojshme, menjëherë alarmon nëse njëra prej parametrave të cilat janë të numëruara nga ana e përfaqësuesit nuk plotësohen atëherë Dogana e kthen të njëjtin autobus”, tha Asmir Alispahiq, avokat.
Sipas Alispahiq, dëshmia e Vasilevskit konfirmon atë për të cilën e pohon edhe mbrojtja.
“Mendoj se përfaqësuesi i Drejtorisë së Doganave dha dëshmi të qartë, decide dhe ligjore dhe me këtë vetëm vërtetohet atë që e thotë mbrojtja gjatë gjithë kohës e thotë se të gjitha certifikata e licencave që janë bashkangjitur/ treguar janë origjinale dhe të besueshme”, pohoi Asmir Alispahiq, avokat.
Aksidenti tragjik në të cilin humbën jetën 45 persona e në mesin e viktimave ishin edhe 12 fëmijë, ka ndodhur më 23 nëntor të vitit të kaluar në orët e para të mëngjesit, kur autobusi “Besa Trans”, i cili po kthehej nga Stambolli me turistë, u përplas në rrethojën e autostradës Struma, në afërsi të fshatit bullgar Bosnek.
