Gjykimi për zjarrin në spitalin modular në Tetovë vazhdoi me dëgjimin e dëshmive të palës mbrojtëse. Dëshmitari i parë ishte roja e sigurisë në repartin intern Bashkim Ibrahimi. Sipas tij në spitalin modular ka pasur tre aparate kundër zjarrit që ai i ka parë gjatë kohës që ka shërbyer në këtë spital.
“Në spitalin modular kam qenë i angazhuar si person që ka mbajtur dhe është kujdesur për rroba dhe ilaçe. U deshtë që brenda ditës të hy pesë apo gjashtë herë. Aparate kundër zjarrit kam parë tre të tilla, por aparate nuk ka pasur në pjesën ku ka pasur pacientë në dhoma. Kanë qenë në korridor dhe lartë”, tha Bashkim Ibrahimi – dëshmitar.
Dëshmitari tjetër ishte Ismail Serani i cili punon nga viti 2015 në mirëmbajte. Edhe ai thotë se ka pasur aparate kundër zjarrit.
“Punoj në mirëmbajte nga viti 2015. Në spitalin modular kam shkuar në bazë të nevojës, kam hyrë vetëm kur ka pasur vdekje dhe i kam dërguar në morgun e spitalit. Në ditë ka ndodhur që të futem edhe gjashtë herë, por ndonjë ditë edhe një herë. Në pjesën e lart ka pasur aparat kundër zjarrit, ajo është pjesë e spitalit, atë e kam parë. Ndërsa në derë kishte mbishkrim të mos futen personat e pa autorizuar”, pohoi Ismail Serani dëshmitar
Dëshmoi edhe mjekja Ersele Tresi.
“Unë fillimisht kam punuar në kovid qendrën dhe më pas në spitalin modular. Mendoj se ka pasur aparat kundër zjarrit, por nuk më kujtohet se ku. Puna jonë ishte tu ofronim ndihmë pacientëve dhe atë bënim. Pas zjarrit kam dhënë dëshmi në gjykatë por nuk e dijë se kujt, ndërsa përgjegjës nuk kemi pasur pasi që çdo kush është përgjigjur për veten kur ka qenë në ndërrim”, pohoi Ersele Tresi dëshmitare.
Dëshmitari Nagim Sulejani u tërheq nga dëshmia. Të akuzuarit nuk dhanë dëshmi ndërsa seanca e radhës është caktuar me 25 prill të këtij muaji, kur edhe pritet të jepet fjala përfundimtare.
