A ka pasaportë të Maqedonisë mafiozi Zvicer?! VMRO-DPMNE me akuza, MPB: Nuk kemi lëshuar pasaportë për të!

TË FUNDIT

Opozitarja VMRO-DPMNE akuzon Ministrinë e Brendshme se i ka lëshuar pasaportë maqedonase Radoje Zvicerit, i cili përmendet si person që ka planifikuar vrasjen e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Nga partia e Mickoskit kërkojnë nga Spasovski ta publikojë dhe të dorëzojë listën, siç thonë, me të gjithë emrat e mafiozëve botërorë që janë pajisur me pasaportë të Maqedonisë, për të mos e mashtruar opinionin botëror.

“Tërë vitin Oliver Spasovki vazhdon ta mbroj krimin dhe korrupsionin në Maqedoni, me çka pas një skandali të madh, ku u dëshmua se policia e Maqedonisë u ka dhënë pasaporta mafiozëve botëror, ku kanë qenë të akuzuar disa nëpunës të policisë, Oliver Spasovski vazhdon ta të jetë ministër dhe ta udhëheq policinë në Maqedoni”, tha Naum Stoilkovski, VMRO-DPMNE.

MPB i mohon akuzat e VMRO-DPMNE-së. Thonë se nuk i kanë lëshuar pasaportë Zvicerit, person i cili dyshohet se ka përgatitur vrasjen e Vuçiqit.

 “MPB rreptësishtë i demanton dezinformatat të plasuara nga ana e VMRO-DPMNE-së se personit me emrin Radoje Zvicer i është dhënë pasaporta e Maqedonisë. Ju rikujtojmë se rasti “Sozia” është zbardhur dhe për këtë rast janë sjellë aktvendime gjyqësore, kurse të gjitha dokumentet e udhëtimit të lidhura me këtë hetim janë zhvleftësuar në procedurë administrative dhe të njëjtat nuk janë të vlefshme dhe nuk mund të shfrytëzohen”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Shumë media në Serbi raportuan se Europol kishte alarmuar qeverinë serbe se po përgatitej një atentat ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Opozitarja VMRO DPMNE thotë se Zvicer është një nga shtetasit e huaj, pjesë e aferës “mafia”, i cili ka marrë pasaportë maqedonase.