Kapitujt 23 dhe 24 që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, luftën kundër krimit dhe korrupsionit si dhe të drejtat fondamentale mbeten fushat më të rëndësishme për hapjen e negociatave të vendit për anëtarësim në BE. Shefi teknik i grupit qeveritar për negociata, Borjan Mariçiq tha se vendi ka bërë mjaftueshëm në këto dy fusha.
“Për kapitujt 23 dhe 24 të cilat fillojnë të parat dhe mbyllen të fundit ishin skriningjet e para. Mund të them që janë në nivel mjaft të dëshirueshëm në lidhje me gatishmërinë e institucioneve tona me njohuritë dhe ndjekjen e asaj që ndodhë në vazhdimësi në nivel të BE-së”, deklaroi Borjan Mariçiq shef i ekipit teknik për negociata.
Edhe sipas raportit të Institutit për politikë evropiane për kapitullin 23, vendi është në rrugë të mirë për t’i filluar bisedimet për hapjen e këtij kapitulli.
“Ne kemi dosje të arritjeve dhe dosje të bashkëpunimit me BE që është një periudhë shumë e gjatë dhe nëse e shohim historikisht, vendi ynë do të ishte ndër më të mirët që do të fillonte negociatat, me të gjitha mangësitë që kemi ndërmjet implementimit dhe ligjet”, tha Simonida Kacarska nga Instituti për politikë evropiane.
Ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska tha se me zgjidhjet ligjore që janë krijuar kanë filluar të japin edhe efektet e tyre. Ajo shtoi se së shpejti pret që të mbyllet edhe ligji për Prokurori Publike edhe pse theksoi se nuk ka ndonjë ndryshim të qëndrimeve në mes opozitës dhe pushtetit, por gjithsesi po bëhen tentime për sigurimin e 2 të 3 të votave për votimin e ligjit.
“Ministria e Drejtësisë është e gatshme për fillimin e negociatave dhe presim të marrim verifikim për atë që e kemi punuar në periudhën e kaluar, por gjithsesi të bëjmë edhe hapa me të cilat do të afrojmë vendin tonë edhe më shumë me standardet evropiane me hapjen e bisedimeve”, potencoi Ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska.
Eurokomisari për zgjerim dhe politikë fqinjësore, Johanes Han, disa ditë më parë tha që pret që vendi të marrë datë për nisjen e bisedimeve me BE-në dhe deri në fund të vitit të hapen edhe kapitujt e pare 23 dhe 24.
“Unë jam i bindur se deri në fund të vitit do t’i hapni kapitujt e parë. Sipas Metodologjisë së re, ata do të jenë kapitujt 23 dhe 24. Tingëllon pak si çështje teknike, por bëhet fjalë për sundimin e së drejtës dhe gjithçka që lidhet me të. Do të fillojmë me hapjen e këtyre kapitujve dhe brenda disa viteve do t’i përfundojmë bisedimet tona, duke i mbyllur këta kapituj”, u shpreh eurokomisari për zgjerim, Johanes Han.
Sipas raportit të Institutit për politike evropiane, reformat në gjyqësor janë vendosur në nivel të lartë të agjendës së Qeverisë, por fokusi duhet të vendoset edhe në implementimin e reformave dhe ligjeve me të cilët do të rritet edhe besimi i qytetarëve në sistemi gjyqësor të vendit.
Përgatiti: Valmira Zendeli