A është Ali Ahmeti zjarrfikës?/ “Grupi i zjarrit” sërish në qetësi, çfarë do të ndodhë pas 15 tetorit?

TË FUNDIT

“A ka armëpushim mes të pakënaqurve? Madje ka dhe emër “grupi i zjarrit” është në opinion…

BB: Nuk e di…nuk di…sinqerisht nuk di…

TV21: Po ju qeshet…

BB: Emri më erdhi interesant.

Kjo është hera e parë që dikush nga BDI u pyet për një grup të ashtuquajtur “i zjarri”, pra të pakënaqurve brenda integristëve. Zëra për pakënaqësi ishin dëgjuar edhe më herët, por pa dalë dikush publikisht që të flasë për mospajtime me emërimet nga radhët e BDI-së në Qeveri. Edhe atëherë, siç bën edhe sot, kreu i BDI-së Ali Ahmeti siguronte se nuk ka diçka të tillë.

 “-Kush e ka quajtur grup i zjarrit?

-Po kështu u quajt në opinion, nuk e kam quajt unë?

-Tash unë po të them ty dhe opinionit se nuk ka grup të zjarrit.

-Edhe unë edhe ju qeshim kur e dëgjojmë grupin e zjarrit se megjithatë më duket një term pezhorativ. -E dini zjarri ja shti flakën diçkaje?

-Nuk ka grup të zjarrit, po e them me sinqeritet.”- tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Por një muaj pas këtyre fjalëve të Ali Ahmetit, do të ishte deputeti Izet Mexhiti që në Kuvend në pyetje deputetësh hapur do të kërkonte llogari nga bashkëpartiakët e tij, duke e theksuar emrin e Artan Grubit – zëvendëskryeministrit të parë.

“Disa tema që kësaj radhë kanë të bëjnë me ekzekutivin e Bashkimit Demokratik për Integrim, pjesën e BDI-së në krye me z.Grubi”- tha Izet Mexhiti, Deputet I BDI-së.

Për gjatë kësaj kohe Mexhiti ishte shef i grupit parlamentar të BDI-së, por nga ana tjetër kishte ligjet që nuk i votonte, edhe pse propozoheshin nga pushteti. Rasti konkret është mosmbështjeta e ligjit për shpërndarjen e administratorëve, për të cilin Mexhiti kishte kritika. Kur dha dorëheqje nga posti i koordinatorit të grupit parlamentar të integrisëve, Artan Grubi do të komentonte:

 “Vendimi i shokut, mikut tim Izet Mexhiti, kolegut e bashkëpartiakut është vendim personal dhe e respektoj”- tha Artan Grubi, Zëvëndëskryeminsitër i Parë.

Por edhe muaj më vonë, Mexhiti nuk do të ndalonte së kritikuari. Fliste më hapur për pakënaqësitë me punën e zëvendëskryeministrin Grubi e ministrit të Jashtëm Bujar Osmani.

 “Kjo nuk është më e mira e BDI-së, d.m.th. që mund ta përfaqëson në mënyrë më dinjitoze BDI-në në ekzekutiv, fatkeqësisht këto po vërtetohen edhe nga veprimet e deritanishme qoftë në menaxhimin e projekteve, qoftë me investimet kapitale apo qoftë me projektet politike”- pohoi Izet Mexhiti, deputet I BDI-së.

Por kur Grubi pyetej për këtë, nuk përgjigjej me fjalë, por…

 “Ncncnc…

TV21: Pse?

Grubi: Ncuk…

TV21: Nuk keni asnjë koment…

Grubi: Ncuk… Ncuk… Hiç asnjë!”- tha Artan Grubi, Zëvëndëskryeminsitër i Parë.

Ndërkohë, pakënaqësi kishte edhe në degën e Sarajit, të cilët asokohe ankoheshin se si degë nuk kishin poste në ekzekutiv.

E kur iku kryeministri Zaev, e po vinte Kovaçevski, Mexhiti kishte edhe më shumë dyshime nëse do ta mbështeste qeverinë e re.

“Ju më herët e keni kritikuar këtë përbërje të kuadrove të BDI-së. A vazhdoni ta keni këtë qëndrim ende?

-Njëjtë.

-A ka mosmarrëveshje?

Ka mosmarrëveshje, po ato do ti diskutojmë në organet partiake, për ti evituar dhe për të bërë një BDI më të fuqishme dhe më të fortë”- pohoi Izet Mexhiti, deputet I BDI-së.

Megjithatë Qeverinë e votoi, me synimin që të jepej shans tjetër, por pas një heshtjeje, “zjarri” u rikthye sërish, sidomos në fund shtatorin 2022.  Një letër me disa pakënaqësi për ministrat e BDI-së i ishte drejtuar kreut të integristëve Ali Ahmeti. Në të si emër konkret përmendej largimin i Grubit si zëvendëskryeministër i parë. Ahmeti në përpjekje për të qetësuar grupin e zjarrit zhvilloi takime. I fundit ishte dje. Pas 6 orësh mbledhje doli e tha se “nuk ka pasur dhe nuk ka zjarr në BDI” dhe se kishte shumë atmosferë në takim.

“Ka pasur edhe humor shumë, ka pasur edhe kujtime shumë sepse jemi 20 vite bashkë. Herë i kam ngacmuar unë, herë më kanë ngacmuar këta dhe e tëra është kjo”- tha tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Derisa “grupi i zjarrit” priste që kërkesat e shkruara në letër të merreshin parasysh, dje Mexhiti si duket i harroi kërkesat.

-A do të thotë kjo që keni heq dorë prej kërkesave që i patët?

-Për cilat kërkesa e ke fjalën?

Dolët me një kumtesë para disa ditëve dhe kishit një nënshkrim për largimin e zv/kryeministrit Artan Grubi.

-Kërkesa ishte që debati të kthehet në parti dhe mirë bëhet se do të kthehet në pari, do të themelohen organet, të funksionojnë organet, pra me organe të bëhen analizat dhe organet të vendosin për politikat e ardhshme dhe në vazhdimësi të shohim për kërkesat tjera.

-A do të thotë kjo që z.Grubi nuk do të jetë më zv/kryeministër?

Për atë do të vendosin organet e partisë”- tha Izet Mexhiti, deputet i BDI-së

Pas krejt këtyre, mbetet ende e paqartë nëse zjarri u shua tërësisht, apo do të mbetet si një gacë e mbuluar që më vonë sërish mund të shkaktojë flakë brenda integristëve. Kjo do të shihet pas 15 tetorit, kur do të mbahet mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm, e cila më pas do të zgjidhte Kryesinë dhe Këshillin mbikëqyrës. Pas kësaj do të duket nëse zjarri brenda selisë blu do të fiket apo dikush do “të digjet”.