A do t’u japë ndërmarrje partnerëve shqiptarë? Arsovska mohon se ka marrëveshje me ASh-AAA-në!

TË FUNDIT

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska në brifingun e sotëm me gazetarë tha se nuk ka marrëveshje me Aleancën për Shqiptarët dhe Alternativën për emërime të drejtorëve në ndërmarrjet publike. Arsovska thotë se në këto pozita do të emërohen njerëz me cilësi, pa dallim nga cila parti vijnë.

“Nuk kemi marrëveshje me Aleancën për Shqiptarët dhe Alternativën në lidhje me atë se sa ndërmarrje do të marrin apo do të marrim. Me ndërmarrjet do të udhëheqin njerëz me cilësi, e jo parti. Për disa ndërmarrje ende nuk kemi emra”, tha Arsovska.

Nga Aleanca për Shqiptarët me deklaratë të ndryshme nga ajo e Arsovskën, thonë se ka marrëveshje dhe presin që e njëjta të respektohet, pa precizuar se cilat ndërmarrje ose drejtori u takojnë.

“Sigurisht që mbështetja ndaj zonjës Arsovska nuk është dhënë vetëm për pozicione. Është dhënë si rezultat i bindjes tonë se qyteti i Shkupit mund të menaxhohet më mirë seç është menaxhuar deri tani dhe unë them që ka marrëveshje dhe presim që ajo marrëveshje të realizohet”, deklaroi Elmi Aziri nga ASh.

Zekirija Ibrahimi nga Alternativa në TV21 pat thënë se do t’i marrin të gjitha drejtoritë që i ka BDI, mirëpo në “Parqe dhe Gjelbrime”, e që është nga koalicioni i VMRO-DPMNE-së. Nga ndërmarrjet publike për ASh-AAA pa drejtorë të rinj kanë mbetur “Higjiena komunale” dhe “Parkingjet e Qytetit”.

Ndryshe, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, duke qenë në koalicion, në zgjedhjet lokale mbështetën Danella Arsovskën për kryetare të Shkupit. Pas marrjes së pushtetit lokal, Arsovska deri tani ka emëruar 6 drejtorë të ri dhe asnjëri prej tyre nuk është nga blloku politik shqiptar.