Partitë e vogla në pushtet ende nuk janë konsultuar për zgjerimin e shumicës parlamentare, më saktë hyrjen e ASh-së në Qeveri. Kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se këtë do ta bëj kur të vijë koha për ndarjen e resorëve.
“Megjithatë bisedime konkrete për programe dhe detaje kadrovike nuk kemi biseduar, nëse hyjmë në bisedime të tilla, atëherë normalisht që do të konsultohen dhe do të flasim edhe me partenerët tjerë të koalicionit qeverisës, njëjtë siç kemi biseduar me partnerët e koalicionit kur hyri partia Alternativa”, tha Dimitar Kovaçevski – kryeministër.
Partia e Afrim Gashit, Alternativa është decide se nuk do të ndaj asnjë pjesë nga kulaçi i saj për partinë e Taravarit. Mirëpo çfarë nëse ia marrin dikasterin e Shëndetësisë siç po flitet në opinion, a do të tërhiqet Alternativa nga shumica? Nga kjo parti me përgjigje:
“Nuk e pranojmë tezën se për shkak se Alternativa ka më pak deputetë sesa Aleanca, duhet të paguaj çmim politik me lëshime kadrovike. Secili që harron se para vetëm 12 muajve Alternativa ishte faktor kyç për shpëtimin e Qeverisë dhe kështu mundësoi bisedimet me BE-në, në fakt e cenon dhe rrezikon potencialin koalicionues të forcave pro-evropiane në Maqedoninë e Veriut. Nëse marrëveshja politike me Alternativën nuk respektohet deri në fund, pse do të besonte kushdo tjetër se ia vlen të bëhet partner me ata që nuk i përmbushin obligimet?”, thonë nga Alternativa.
As partia opozitare shqiptare Lëvizjsa BESA nuk e mbështet këtë hap të Aleancës.
“Nëse ASH bëhet pjesë e qeverisë, ky do të jetë vendim i ngutur dhe i gabuar i ASH-së, i cili më së paku do të jetë në interes të Aleancës dhe më se shumti në interes të qeverisë aktuale, të cilët për hir të së vërtetës edhe ne edhe ASH si parti opozitare e kemi kritikuar për politikat e gabuara dhe gjitha dështimet”, tha Abdush Demiri – sekretar i përgjithshëm i Lëvizjes Besa.
Aleancës për Shqiptarët, sipas informacioneve jo zyrtare, i janë dhënë dy oferta për hyrje në Qeveri. Ofertat e parë është për bashkëqeverisje me LSDM-në, BDI-në, PDSH-në dhe Alternativën, ndërsa e dyta është pa Alternativën. Jozyrtarisht nëse Alternativa vendos të qëndrojë në koalicionin qeverisës, atëherë ASh do të udhëheqë me ministrinë e Shëndetësisë, Drejtësisë dhe dy poste të zëvendësministrave.
Ndryshe me largimin e Skender Rexhepi – Zejdi, i cili ishte pjesë e këtij subjektit politik, Alternativa ka një deputet më pak gjegjësisht 3, ndërsa Aleanca për shqiptarët ka tetë deputetë.
Aleancës nuk i duhen poste për të votuar për ndryshimet kushtetuese nëse janë të sinqertë në angazhimin e tyre për BE, shtojnë nga Alternativa.
