Numri i të prekurve nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut ka arrin 555 persona, por pritet në javët në vijim nurmi të vazhdojë të rritet.
Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe paralajmëroi se sot do të kenë diskutim shtesë në kuadër të Komisionit për sëmundje infektuese dhe është e mundur deri tek Qeveria të propozojnë edhe përforcim të masave për parandalim nga përhapja e mëtutjeshme e virusit.
“Gjendemi në një moment kritik me rritje të pritur të numrit të të infektuarve nga Kovid-19. Është e dukshme se kemi hyrë në fazën e dytë të pandemisë me koronavirusin. Numri i të prekurve në ditët që vijojnë dukshëm do të rritet. Ende mbesin parashikimet që kulmi i infektimit të jetë në fund të muajit dhe presim deri në 2.000 pacientë, edhe pse shumë faktorë ndikojnë në këto parashikime”, theksoi Filipçe dhe apeloi që qytetarët maksimalisht t’i respektojnë masat, kontaktet fizike t’i minimizojnë dhe të mbrohen nga komunikimi ose lëvizja e rrezikshme e çdoditshme.
Një ndër problemet kryesore është se ka bartës asimptomatik të virusit, ndërsa përhapja në këtë mënyrë nga këto bartës mund të parandalohet vetëm me qëndrim në shtëpi, gjegjësisht izolim.
Prej gjithsej 555 të infektuarve me koronavirus në vend, 52 (9.5 për qind) janë punonjës shëndetësorë. Fatkeqësisht, ka shumë punonjës shëndetësorë të infektuar në shumë vende të botës. Ata janë në kontakt të drejtpërdrejtë me pacientët. Prej tyre 34 janë infektuar në kushte spitali, gjegjësisht në kushte ambulance.
“Shëndeti i kombit dhe shumë jetë varet nga punonjësit shëndetësor. Në këtë mënyrë do të parandalojmë epidemi të përmasave më të mëdha, kështu që ata që janë të shëndoshë do të qëndrojnë të shëndoshë, do të luftojmë virusin dhe do t’i mjekojmë të gjithë ata që janë të sëmurë”, theksoi Filipçe.
Më shumë të infektuar ka në Shkup – 235, Kumanovë – 114, Dibër – 49. Deri më tani 18 persona e kanë humbur jetën nga ndërlikimet nga koronavirusi, ndërsa 23 janë shëruar.
Duke i ndjekur përvojat botërore për mjekimin e të infektuarve nga koronavirusi, një pjesë të hospitalizuarve në Klinikën për sëmundje infektive filloi t’u jepet terapi e re, e cila është kombinim, që e përmban ilaçin hidrokloror dhe azitromicinë. Terapinë e marrin pacientë të cilët nuk kanë as anomali të vogla kardiake gjatë kryerjes së kontrollit, për shkak të kundër indikacioneve të mundshme të caktuara nga ajo. Disave nga pacientët u jepet terapi antiretrovirale.
Në ndërkohë, në disa vende filloi të zbatohet trajtimi me plazë gjaku nga pacientët tani më të shëruar me Kovid-19, që është treguar i suksesshëm. Siç informoi ministri Filipçe. nga Instituti për transfuziologji kanë konfirmuar se mund të përgatitet sistemi që të ndahet plazma e gjakut nga 20 pacientë të shëruar dhe t’u jepet të infektuarve me koronavirus.
Qytetarët, megjithatë, të cilët kanë simptoma tipike për koronavirus, si temperaturë, ethe, kollë, vështirësi në frymëmarrje, duhet të paraqiten tek mjeku i tyre amë, i cili përmes sondazhit epidemiologjik do të konfirmojë nëse duhet të testohen. Nëse duhet, përmes sistemit “Termini im” ata do t’ua caktojnë kohën dhe vendin e saktë për testim./MIA
