A dështoi që në fillim tentimi që partitë t’i harmonizojë përfundimet e tyre për propozimin francez? Pas raundit të parë negociatash të grupit punues që zgjati më shumë se 3 orë i cili përfundoi pa asnjë rezultat, sot nuk ka as paralajmërim, e as iniciativë për mbajtje të një takimi të ri. Nga opozitarja VMRO-DPMNE dje dolën me disa kërkesa, mes të cilave janë – të mos ketë mundësi për deklarata unilaterale (njëpalëshe) të Maqedonisë dhe Bullgarisë, zbatimi i Marrëveshjes me Bullgarinë të mos jetë kusht në raportet vjetore për progres dhe masat, dhe ndryshimet kushtetuese të mos jenë kusht për hapje të Konferencës së dytë Ndërqeveritare. Antonio Milloshoski thotë se në takim do të vinin vetëm nëse arrihet dakordim për korrigjim të propozimit francez. Ai i përsëriti kërkesat e tyre:
“Këto janë 6 vërejtjet thelbësore të cilat ne konsiderojmë se pushteti duhet t’i pranojë dhe të gjithë bashkërisht të mundohemi të bëjmë korrigjim të kësaj kornize të propozuar negociuese, e cila nuk është përfundimtare derisa të pranohet nga Republika e Maqedonisë. Dhe nëse BDI dhe LSDM nuk e kanë ndërmend t’i pranojnë ose këto vërejtje thelbësore t’i inkuadrojnë në kornizën negociuese franceze, atëherë unë mendoj se është e pakuptimtë të ketë bisedime të mëtutjeshme për të diskutuar rreth përfundimeve kozmetike për përdorim të brendshëm.”- deklaroi Antonio Milloshoski, VMRO-DPMNE.
Zv/kryeministri për sistem politik, Artan Grubi pret që këto ditë për propozimin francez, së bashku me protokollin dypalësh me Bullgarinë dhe dokumentet e tjera shoqëruese, të prononcohet Kuvendi. Na duhet qëndrimi i Kuvendit për të gjitha dokumentet, tha Grubi. Ai përsëriti se Protokolli nuk është pjesë e kornizës negociuese dhe se i njëjti nuk e prek gjuhën dhe identitetin maqedonas.
“Qeveria nuk do të vendosë për këto çështje, për këto dokumente, para se të vijnë këto dokumente në Kuvend, të harmonizohen dhe Kuvendi ta obligojë Qeverinë që të veprojë në lidhje me këto dokumente. Ky është proces i dialogut mes partie politike dhe të gjithë duhet të jemi realistë për këtë që mund ta ndryshojmë e çfarë nuk mund të ndryshojmë, por ne e dimë se çfarë mund të bëjmë. Ne nuk kemi dilemë siç i ka opozita, ne kemi besim te vetvetja, ne e dimë se maqedonasit nuk do të asimilohen.”- pohoi Artan Grubi, zv/kryeministër për Sistem Politik
Partitë anëtare të grupit të punës që duhej të debatojnë për konkluzionet për propozimin francez, pas takimit të djeshëm paralajmëruan se ditëve në vijim përsëri do të takohen, megjithatë deri më tani nuk ka paralajmërim të tillë.
