Dje, si çdo të premte gjatë periudhës së fundit, qytetarët përmes protestave kërkuan ulje të çmimit të energjisë elektrike, veçanërisht pas rritjes së fundit prej 7,4%. Shoqatat mes të tjerash kërkojnë edhe shfuqizim të Komisionit rregullator. Për të bërë një gjë të tillë duhet pëlqim nga deputetët si dhe të ndryshohet ligji. Ziadin Sela nga ASH-ja thotë se duhet të ndryshohet ligji për shkak se qytetarët duhet të marrin fatura sipas standardit të tyre.
„Ne jemi duke u konsultuar për ta rregulluar çështjen me shtrenjtimin e rrymës, të kthehet minimumi, me koston që kishte. Që t’i përshtatet standardit që ka Maqedonia. Duhet riparë ligji dhe duhet të ketë ndryshime”, deklaroi Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.
Arbër Ademi nga BDI-ja thotë se duhet pëlqim nga ministritë përkatëse që të bëhet ndryshim brenda Komisionit rregullator.
“Është i rëndësishmë mendimi i institucioneve përkatëse dhe ministrave të restorit të cilët e mbulojnë këtë gjë. Pas konsultimeve me ta në mënyrë plotësuese do të japim edhe qëndrimet tona”, theksoi Arbër Ademi, depute ti BDI-së.
Zaev para disa ditësh për TV21 tha se nuk pajtohet me kërkesat për shfuqizimin e Komisionit rregullator për energjetikë dhe shërbime të ujit. Nga Komisioni thanë se Kuvendi duhet të vendosë nëse do të vazhdojnë të ekzistojnë si komision duke shtuar se KRRE në sektorin e energjetikës është parakusht kyç për anëtarësim në BE.
“Në lidhje me pavarësinë e Komisionit rregullator për energjetikë dhe shërbime të ujit, komisarët i zgjedh Kuvendi. Punën e këtij trupi e monitoron Bashkësia e energjetikës e cila gjatë dy viteve të fundit na shpalli liderë në rajon sa i përket kapacitetit dhe reformave të zbatuara”, thonë nga KRRE.
Ndryshe Komisioni rregullator pohon se njëra prej mënyrave për kthimin e çmimit të vjetër është nëse EVN, MEPSO dhe ELEM i tërheqin kërkesat për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Në këtë rast, Komisioni mund ta tërheqë vendimin për rritjen e çmimit të saj.
