Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia duhet të ulin shkallën e rrezikut nga gatishmëria ushtarake të forcave të tyre bërthamore, për t’u shmangur mundësia e një katastrofe bërthamore. Këtë deklaratë e bëri gjenerali amerikan në pension, Xhejms Kartrajt.
Kartrajt, i cili ka qenë zëvendës i Kryetarit të Komitetit të kryesuesve të shtatmadhorisë së ushtrisë amerikane, deklaroi se për shkak të marrëdhënieve të tendosura mes Moskës dhe Uashingtonit, por edhe për shkak të rrezikut të shtuar nga sulmet kibernetike, ekziston mundësia që të bëhet vlerësimi i gabuar dhe të aktivizohen armët bërthamore, të cilat janë në gjendje gatishmërie për përdorim.
Kartrajt, i cili ka qenë edhe në krye të Komandës strategjike për arsenal bërthamor, është i mendimit se udhëheqësve të të dy vendeve duhet të ju jepet më shumë kohë në dispozicion që të reagojnë ndaj provokimeve potenciale, para se të japin urdhër për sulm bërthamor.
Ai më tutje shtoi se në rrethanat ekzistuese, ekziston rreziku që armët bërthamore të aktivizohen si reagim ndaj ndonjë alarmi të rrejshëm për sulm nga pala tjetër, që mund ta nxisin hakerët./21 Media/
