Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, partner parazgjedhor i LSDM-së, ka komentuar kërkesën e BDI-së për “kryeministër shqiptar” në Maqedoninë e Veriut. Në Facebook Kasami shkruan se dështimet e 18 viteve qeverisje nuk mund të mbulohen duke lëshuar “një grusht miza” për kërkesa të cilat janë të definuara me ligj se si formohen qeveritë.
“Idenë e hedhur nga kryetari i BDI-së për kryeministër shqiptar në këto rrethana kur veçmë kemi të caktuara listat e kandidatëve për deputet si dhe proces zgjedhor të pauzuar, e llogarisim si populiste dhe vetëm për përfitime të pak poenëve politike. Hedhja e kësaj ideje në këtë moment më shumë i ngjan arsyetimit se BDI do shkojë në opozitë dhe para votuesve të vet të arsyetohet se “ja nuk na dhanë kryeministrin dhe ne duhet të dalim në opozitë”, shkruan Kasami.
Më tej, kreu i Besës, shkruan se shqiptarët në të ardhmen edhe mund të kenë kryeministër në Maqedoninë e Veriut, se kjo nuk diskutohet, por ai me siguri nuk do të jetë nga radhët e BDI-së derisa kjo parti nuk po e lufton krimin dhe korrupsionin brenda saj.
“Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut tashmë e një periudhë më të gjatë në shumicë më të madhe turpërohen të identifikohen me politikat dhe politikanët brenda BDI-së të cilët nëpërkëmbën gjithçka shqiptare gjatë 18 viteve qeverisje. Dielli nuk mbulohet me shoshë, ashtu si dështimet e BDI-së nuk mund të mbulohen vetëm me hedhjen e një ideje për kryeministër shqiptar në konteksin kohor dhe momentumin politik që ndodhemi tash” ka shkruar Kasami në Facebook.
