Përplasjet për alta bankën vazhdojnë edhe në kampin shqiptarë, Blerin Sejdiu nga Vlen në një paraqitje para mediave deklaroi se qeveria e vitit 2023 kishte marrë vendim për hyrjen e Alta Bankës në Maqedoninë e Veriut. Ai tha se dokumentet e publikuara nga Komisioni Parlamentar dëshmojnë se më 24 tetor 2023, ministrat e BDI-së kishin qenë të pranishëm, nënshkrues dhe drejtues të mbledhjes së Qeverisë ku ishte miratuar hyrja e bankës në vend. Sipas Sejdiut, vendimi ishte marrë nga Ministria e Financave, e drejtuar atëkohë nga Fatmir Besimi, së bashku me ministrat e tjerë të BDI-së.
“Besoj se aty janë theksuar shumë qartë datat, emrat dhe mbiemrat e ministrave, si dhe personat që kanë qenë të pranishëm në mbledhjen e atëhershme të Qeverisë për miratimin e hyrjes së Alta Bankës. Pra, për Alta Bankën në Maqedoni ka vendosur Ministria e Financave, e drejtuar nga Fatmir Besimi, së bashku me ministrat e tjerë të BDI-së. Kjo ka ndodhur në tetor të vitit 2023”, tha Sejdiu.
Nga an tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i BDI-së, Arbër Ademi, Arbër Ademi nga BDI deklaroi se Alta Banka ka hyrë në sistemin bankar të Maqedonisë së Veriut në vitin 2025, gjatë qeverisjes aktuale, duke mohuar përfshirjen e qeverisë së kaluar të BDI-së dhe LSDM-së. Sipas Ademit qeveria e atëhershme në vitin 2023 kishte ndërmarrë hapa për mbrojtjen e interesave shtetërore dhe paralajmëroi padi penale ndaj personave që, sipas tij, kanë shpifur lidhur me këtë çështje.
“10 shtator 2025 komisioni i letrave me vlerë i drejtuar nga Bujare Abazi, kuadër i VLEN-it dha lejen për blerjen e aksioneve të Stopanska Bankës nga Alta Banka. Më 16 tetor 2025 Alta Banka u bë pronare e 93% të bankës së Manastirit. Vetë guvernatori i bankës popullore ka pranuar se për hyrjen e Alta Bankës u konsultua me kryeministrin”, tha Ademi.
Problemet me Alta Bankën në Maqedoninë e Veriut pasuan revokimin e licencës së bankës amë në Serbi. Më 1 nëntor, Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut e vendosi bankën në Manastir nën administrim të përkohshëm për tre muaj, me qëllim shqyrtimin e gjendjes financiare. Ndërkohë, klientët u përballën me kufizime në tërheqjen dhe transferimin e parave, ndërsa rreth 11.500 pensionistë i marrin pensionet përmes kësaj banke. Një nga mundësitë për zgjidhjen e situatës është gjetja e një investitori të ri.
