BDI për rastin e Alta Bankës: Sa para publike janë ekspozuar ndaj rrezikut dhe kush duhet t’i mbronte

TË FUNDIT

Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar lidhur me rastin e Alta Bankës, duke kërkuar transparencë për mjetet publike të vendosura në këtë bankë dhe hetim të përgjegjësisë institucionale.

“Rasti i Alta Bankës ngre pyetje që shkojnë shumë përtej problemeve të një banke. Bëhet fjalë për menaxhimin e mjeteve publike, sigurinë financiare të institucioneve publike dhe lidhjen e mundshme ndërmjet vendimeve politike dhe interesave bankare”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Nga kjo parti kërkojnë që Qeveria dhe Ministria e Financave të publikojnë të dhënat e plota për institucionet shtetërore dhe ndërmarrjet publike që kanë pasur mjete në Alta Banka, përfshirë shumat, bazën ligjore dhe personat përgjegjës për vendimmarrjen.

BDI kërkon gjithashtu që Banka Popullore të japë sqarime për mbikëqyrjen e bankës, ndërsa Prokuroria Publike të hetojë nëse ka pasur ndikime të paligjshme, keqpërdorim të pozitës zyrtare apo konflikt interesi.

“Çështja tashmë nuk është vetëm se çfarë do të ndodhë me Alta Bankën. Çështja është nëse shteti e di sa para publike janë ekspozuar ndaj rrezikut, si kanë përfunduar ato aty dhe kush e ka pasur për detyrë t’i mbrojë”, theksohet në reagimin e BDI-së.