Ministri për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati, dhe ambasadorja e Rumanisë, Adela Monica Axinte, kanë zhvilluar një takim ku kanë diskutuar për avancimin e bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes së të drejtave të të gjitha bashkësive në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe për ruajtjen e traditave, gjuhës, kulturës dhe trashëgimisë së bashkësisë vllahe në vend.
Ferati dhe Axinte, siç njoftojnë nga Ministria, i kanë vlerësuar si të shkëlqyera marrëdhëniet dypalëshe, të cilat ndërtohen prej vitesh, partneritetin mes dy vendeve mike dhe aleate në Aleancën e Atlantikut të Veriut, si dhe gatishmërinë e Rumanisë për të ndarë përvojën e saj në procesin e afrimit me Bashkimin Evropian.
Gjatë takimit, Ferati e ka informuar ambasadoren Axinte për punën e Ministrisë, aktivitetet për ndërtimin e besimit, promovimin e vlerave, avancimin e bashkëpunimit dhe zbatimin e aktiviteteve të ndryshme, veçanërisht me të rinjtë. Ai ka theksuar se, ndonëse drejtimin e Ministrisë e ka marrë vetëm para tre muajsh, është shënuar përparim i dukshëm në disa fusha, përfshirë bashkëpunimin me mediat, me qëllim uljen e tensioneve dhe parandalimin e gjuhës së urrejtjes.
Ambasadorja e Rumanisë ka shprehur kënaqësi për punën e Ministrisë, por njëkohësisht ka ngritur shqetësimin për numrin e vogël të nxënësve vllehë që ndjekin mësimin në gjuhën e tyre amtare, ndër të tjera edhe për shkak të mungesës së kuadrit mësimor.
Ferati, thuhet në komunikatë, e ka siguruar ambasadoren se Ministria do t’i mirëpresë propozimet nga Ambasada e Rumanisë, bashkësia vllahe dhe shoqëria civile, me qëllim nxitjen e fëmijëve vllehë për të mësuar gjuhën e prindërve të tyre, si dhe promovimin e kulturës dhe traditave të kësaj bashkësie.
