Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gani Geci, raportohet se është dërguar me urgjencë në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, pasi ka shfaqur probleme shëndetësore gjatë qëndrimit në paraburgim.
Sipas raportimit, Geci ka pasur shqetësime me tensionin e gjakut, për çka është dërguar në spital për trajtim mjekësor.
Drejtori i Spitalit të Pejës, Fahri Hasani, ka konfirmuar për këtë medium se Geci është dërguar në spital një ditë më parë, pas orës 18:00, i shoqëruar nga njësitet përkatëse.
Sipas Hasanit, Geci ka pasur ankesa për dhimbje në kraharor, ndërsa pas ekzaminimeve mjekësore, gjendja e tij është vlerësuar stabile.
“Pacienti ka ardhur me ankesa në kafazin e kraharorit me dyshim për sindroma angina pectoris, i janë bërë ekzaminime të nevojshme, gjendja e tij është stabile. Stafi do të vazhdojë të përkujdeset me ekzaminime të tjera të nevojshme”, ka deklaruar Hasani për Nacionalen.
Ndryshe, Gani Geci ndodhet në paraburgim nën dyshimin për kanosjen e gazetarit Lirim Mehmetaj.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 14 tetor i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Rasti lidhet me një postim të Mehmetajt në Facebook, ku ai kishte kritikuar deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci.
