Mickoski: Nëse nuk promovohen familjet me shumë fëmijë, Maqedonisë çdo vit do t’i duhen më tepër se 50,000 punëtorë të huaj

TË FUNDIT

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se nëse vendi nuk u kthehet vlerave familjare dhe nuk promovon familjet me shumë fëmijë, ekonomia e Maqedonisë do të jetë e para që do të goditet, përcjell TV21. Ai komentoi deklaratën e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Transportit, Aleksandar Nikolloski, sipas të cilit deri në vitin 2030 vendit do t’i nevojiten 50 mijë punëtorë të huaj në vit për të ruajtur nivelin aktual të Bruto Prodhimit të Brendshëm (BPB-së). Mickoski tha se ndoshta do të duhen më tepër se 50,000 punëtorë të huaj në vit.

“Po, ndonjëherë njeriu duhet t’i analizojë gjërat në thellësi. Dhe kur një vit e gjysmë më parë fola për vlerat familjare dhe fertilitetin, më etiketuan si të prapambetur, retrograd. Thanë se nuk dija për çfarë po flisja dhe nuk mbeta gjë pa lexuar për veten. Por, fatkeqësisht, kjo sfidë mbetet ende. Nëse nuk kthehemi drejt vlerave familjare dhe familjeve me shumë fëmijë, dhe nëse nuk i promovojmë ato vlera, fatkeqësisht, ekonomia e Maqedonisë do të jetë e para që do të goditet. Dhe ajo që thoshte zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit mund të jetë një nënvlerësim. Mund të na duhet shumë më tepër për të ruajtur aktivitetin ekonomik. Shikoni çfarë po ndodh në Evropën Perëndimore, ku për të ruajtur nivelin aktual të ekonomisë dhe për të pasur një rritje të lehtë të BPB-së nominale, është e nevojshme të lëshohen qindra mijëra, apo madje do të thoja miliona, leje pune për emigrantë çdo vit. Prandaj, sado që të duan të më tallin, unë do t’u qëndroj besnik politikave familjare, politikave për familjet e mëdha dhe politikave që nënkuptojnë një të ardhme për Maqedoninë si shtet, vende të reja pune për punëtorët e Maqedonisë dhe një ekonomi maqedonase më konkurruese, që rritet dhe jo vetëm mbahet në këmbë”, deklaroi Mickoski.