Të verbërit në Tetovë pa infrastrukturë! Kërkohen shtigje të posaçme

TË FUNDIT

Kjo është pamja dhe bota përmes së cilës detyrohen të orientohen personat e verbër në Tetovë. Një botë ku çdo hap është një pasiguri, çdo kalim rruge kërkon guxim, dhe çdo institucion mbetet larg arritjes pa ndihmën e një shoqëruesi.

Edhe pse në qytet u përuruan semaforë të rinj me sinjalizim zanor, realiteti në terren mbetet tejet i vështirë. Infrastruktura rrugore dhe trotuaret nuk janë të përshtatura, ndërsa automjetet e parkuara pa kriter u vështirësojnë jashtëzakonisht shumë lëvizjen.

“Apeli im për qytetarët, ka edhe njerëz që më shohin se lëviz me shkopin e bardhë, ama rrugën nuk ma lërojnë. Edhe veturat mos t’i parkojnë kudo, ku s’duhet. Edhe institucionet të punojnë pak më shumë, që t’i plotësojnë këto kushtet tona. Te semaforët e rinj ka sinjalizim me zë. Infrastruktura trotuareve duhet të përmirësohet, allan! Veturat na pengojnë shumë, parkimet janë vende pa vend, lëvizja na vështirësohet. Për shembull, në stacion të autobusëve kemi parkime veturash… Edhe në këtë aspekt duhet të punohet pak më shumë”, tha Jetmir Selmani

Për momentin, qyteti nuk ofron shtigje të posaçme për lëvizjen e këtyre personave, duke kërkuar angazhim më të madh institucional. Situata në Tetovë rreth infrastrukturës është tejet specifike.

“Ne patëm kërkesa te kryetari i komunës edhe për personat me shikim të dëmtuar që kemi, që të na ndihmojë rreth trotuareve ku parkohen shumë vetura. Ata njerëz që parkohen janë të papërgjegjshëm dhe nuk mendojnë se ka edhe persona me aftësi të kufizuara – jo vetëm ne të verbrit, por ka edhe persona me karrocë – ku ne nuk mund të kalojmë ashtu siç duhet të ecim. Detyrohemi të zbresim në rrugë, e pastaj, mos e dhashë Zoti, mund të na godasë ndonjë makinë. Po ashtu, kërkuam nga kryetari i komunës edhe shtigje të posaçme për personat e verbër. Nuk mundet në të gjithë qytetin, por aty ku frekuentojmë më shumë, ku ka institucione publike apo te shoqata ku vijnë vetë anëtarët, që aty të ketë shtigje të dedikuara vetëm për personat e verbër”, tha Hamdi Xhemaili

Institucionet paralajmërohet se ky është vetëm hapi i parë, dhe se në të ardhmen do të punohet në zgjerimin e projekteve për lehtësimin e lëvizjes në qytet.

“Do isha thënë është një projekt të cilin jemi në realizim e sipër, kjo ishte faza e parë, çështja e kalimit të rrugës dhe instalimi i semaforëve me sinjalizim zanor dhe ulja e barrierave apo trotuareve të rrugës që ato të mund të kalojnë. Fazën tjetër do të vazhdojë ashtu siç u përmend, edhe zgjerimi i kryqëzimeve me semafor zanor, por po ashtu edhe shtigjet e veçanta që këta persona të mund të lëvizin më lirshëm, veçanërisht në rrugët qendrore të qytetit. Pra, në fazën tjetër do të vazhdohet menjëherë edhe me përcaktimin e shtigjeve të tillë”, tha Kasmai.

Përtej semaforëve me zhurmues dhe premtimeve për investime, pavarësia e një qyteti nuk matet vetëm me teknologjinë në letër, por me ndërgjegjen e secilit prej nesh.