Në Çair pati festë futbolli, ku u përballën dy Shkëndijat, ajo e Haraçinës dhe ajo e Tetovës. Fillimisht ishte thënë se tifozët mysafirë nuk do të lejoheshin në stadium, por pas insistimit të haraçinasve për t’i mirëpritur tetovarët, në tribuna erdhën Ballistët. Përballë njëri-tjetrit, Ballistët dhe Çlirimtarët krijuan atmosferë të bukur futbolli.
Në fushë kushtet ishin të vështira për lojë, për shkak të baltës së krijuar nga reshjet e shiut, por kjo nuk ishte pengesë që skuadrat të gjenin golin.
Tetovarët kaluan të parët në epërsi në minutën e 30-të, kur Endrit Krasniqi shndërroi në gol një penallti. Shkëndija e Tetovës mund ta zhbllokonte rezultatin edhe më herët, por goditja e Tambës pas një ndërprerjeje përfundoi në traversë.
Haraçinasit nuk u dorëzuan dhe rreth 15 minuta para fundit arritën të barazonin. Simonovski u gjend në vendin e duhur brenda zonës së rreptësisë dhe dërgoi topin në rrjetë për rezultatin përfundimtar 1-1.
Me këtë barazim, Shkëndija e Tetovës arrin në kuotën e 20 pikëve dhe ruan kreun e tabelës. Megjithatë, Struga TL mund të barazohet me tetovarët në krye, nëse nesër fiton ndaj Bashkimit.
