“Zgjidhjen me Bullgarinë e shoh te dialogu”! Mickoski pret që bisedimet të vazhdojnë dhe të arrihet zgjidhje

TË FUNDIT

Pavarësisht se takimi mes Mucunksit dhe Petrova Çamovës, i mbajtur të enjten në Sofje, përfundoi pa ndonjë përparim, kryeministri Mickoski vlerëson se është pozitive edhe vetë nisja e bisedimeve me Bullgarinë. Megjithatë, qëndrimet e të dyja palëve mbeten të pandryshuara, veçanërisht pasi ministrja bullgare Petrova Çamova deklaroi dje se nuk do të ketë rinegocim të detyrimeve ndaj Maqedonisë dhe as mundësi për ndryshime kushtetuese me efekt të shtyrë. Por, përballë këtyre qëndrimeve të prera, ku e sheh kryeministri Mickoski daljen nga kjo situatë e bllokuar!?

“Përmes bisedimeve, përmes dialogut. Kjo është bukuria e demokracisë, kur bisedoni dhe zhvilloni dialog. Më vjen mirë që ky dialog ka filluar dhe që për të janë të informuar partnerët tanë ndërkombëtarë. Kjo është bukuria e demokracisë: të bisedoni kur keni qëndrime të ndryshme, ndërsa aftësia në demokraci qëndron në afrimin e këtyre qëndrimeve dhe arritjen e një kompromisi. Pres që dialogu të vazhdojë dhe që, në një moment të caktuar, qëndrimet të afrohen e të arrijmë një zgjidhje”, tha Mickoski

Nga LSDM-ja vazhdimisht akuzojnë se pushteti është ai që nuk dëshiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe që po e pengon rrugën evropiane të vendit. Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, gjatë fjalimit në Prilep, me rastin e festës së nesërme, 11 Tetorit, tha se synimi është që të rinjtë të mos largohen nga vendi. Për këtë arsye, ai tha se do të angazhohet së bashku me ta për realizimin e integrimit evropian të Maqedonisë.

“Detyra jonë e ardhshme e madhe kombëtare është e përbashkët: e ardhmja evropiane dhe mundësitë evropiane për çdo djalë dhe vajzë të re këtu në Maqedoni. Integrimi evropian nuk është projekt i LSDM-së, nuk është projekt i një qeverie dhe as i një brezi. Ai është aspiratë e Maqedonisë prej dekadash për një të ardhme më të mirë, për një Maqedoni të lirë, të drejtë dhe evropiane, për një shtet ku çdo njeri do të ketë dinjitet dhe të ardhme”, tha Filipçe

Takimi mes Mucunksit dhe Petrova Çamovës, i cili u zhvillua në margjinat e Samitit për Korridorin 8 në Sofje, u iniciua nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Petrova Çamova tha se pret që Maqedonia t’i përmbushë detyrimet e marra përsipër me Marrëveshjen e vitit 2022, e cila, siç theksoi ajo, përbën një rrugë të garantuar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.