Pretendimet për dhunë policore, BDI dhe LSH kërkojnë dorëheqjen e ministrit dhe zv/ministrit! Iseni: Nëse konstatohen shkelje, do të ketë përgjegjësi! MPB: Kontrolli i Brendshëm po heton rastin

TË FUNDIT

Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon hetim të menjëhershëm, të paanshëm dhe transparent për rastin e dy të rinjve, 21 dhe 23 vjeç, të cilët pretendojnë se janë dhunuar nga policia. BDI kërkon zbardhjen e plotë të rastit, përgjegjësi për çdo shkelje të mundshme dhe dorëheqjen e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Astrit Iseni.

“BDI kërkon dorëheqjen e Zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, si dhe përgjegjësi të plotë institucionale për këtë rast. Të drejtat e qytetarëve dhe dinjiteti i tyre nuk mund të shkelen nga ata që kanë për detyrë t’i mbrojnë”, thuhet mes tjerash në reagimin e BDI-së.

Edhe nga Lidhja Shqiptare dënojnë pretendimet për dhunë policore ndaj dy të rinjve shqiptarë në Shkup dhe kërkon hetim penal për rastin.Nga kjo parti kërkojnë dorëheqjen e menjëhershme të ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, dhe zëvendësministrit Astrit Iseni.

“I bëjmë thirje poashtu misionit të OSBE-së, Komitetit të Helsinkut dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, që të evidentojë dhe raportojë dhunën kriminalo-policore ndaj të rinjëve shqiptare të cilëve u janë cënuar edhe të drejtat më elementare, përfshirë edhe të drejtën e jetës dhe shëndetit”, thonë nga LSH.

Ndërkaq, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, njoftoi se Kontrolli i Brendshëm po heton rastin dhe se, nëse konstatohen shkelje, do të ketë përgjegjësi.

“Pretendimet për dhunë policore ndaj dy qytetarëve më 7 tetor në Shkup duhet të zbardhen plotësisht. Kontrolli i Brendshëm po heton rastin dhe, nëse konstatohen shkelje, do të ketë përgjegjësi. Si zëvendësministër i Punëve të Brendshme, qëndrimi im është i qartë: uniforma është përgjegjësi për të mbrojtur qytetarët dhe për t’i shërbyer ligjit. Çdo keqpërdorim i autoritetit cenon besimin dhe dinjitetin e institucionit. Përkushtimi ynë është një polici që vepron me profesionalizëm dhe jep llogari. Transparenca dhe llogaridhënia janë thelbësore për besimin në polici. Qytetarët do të njoftohet në kohë për rezultatet e hetimit dhe masat që do të ndërmerren”, shkruan Iseni.

Për rastin kanë reaguar edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme.MPB-ja njofton se po hetohen rrethanat e rastit dhe përgjegjësia e mundshme e policëve të përfshirë.

“Pas publikimeve në një pjesë të mediave se më 7 tetor 2026, në territorin e Shkupit, dy persona janë sulmuar fizikisht nga zyrtarë policorë gjatë veprimit të tyre, me ç’rast, sipas pretendimeve të tyre, u është dëmtuar edhe vetura, ministri i Punëve të Brendshme ka urdhëruar Departamentin për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale që ta hetojë rastin. Departamenti po ndërmerr masa dhe aktivitete për të përcaktuar plotësisht gjendjen faktike dhe rrethanat e ngjarjes, si dhe për të përcaktuar përgjegjësinë e mundshme të zyrtarëve policorë të përfshirë. Pas konstatimit të gjendjes faktike, do të ndërmerren masat përkatëse në përputhje me dispozitat ligjore, ndërsa publiku do të informohet me kohë”, thonë nga MPB.