Hyri në fushë gjatë ndeshjes Maqedoni-Skoci, tifozët duan t’i gjejnë qenit shtëpi në Skoci

TË FUNDIT

Një skenë e pazakontë nga ndeshja mes Maqedonisë dhe Skocisë në Shkup po merr një vazhdim të bukur, përcjell TV21. Qeni që gjatë ndeshjes hyri në fushë dhe për pak ndërpreu takimin, tani mund të gjejë një shtëpi të re – në Skoci.

Gaia, siç kanë mësuar tifozët skocezë, është rreth dy vjeç. Ajo ishte vërejtur pranë stadiumit edhe para fillimit të ndeshjes, ndërsa më vonë arriti të hyjë edhe në fushë, duke tërhequr vëmendjen e futbollistëve dhe tifozëve.

Paraqitja e saj u bë shpejt një nga momentet më interesante të ndeshjes, por historia nuk përfundoi me largimin e saj nga fusha.

Grupi i tifozëve “The Tartan Army” njoftoi se pronarja e lokalit ku mblidheshin tifozët skocezë gjatë qëndrimit në Shkup, kishte marrë një kërkesë për ndihmë – që Gaies t’i gjendej një shtëpi e ngrohtë.

Tifozët skocezë tashmë po mendojnë se si qeni mund të transferohet në Skoci, ndërsa plani është që së bashku me tifozët e Maqedonisë të organizohet edhe një aksion për mbledhjen e mjeteve për transportin dhe të gjitha shpenzimet e nevojshme.