Gërvalla: S’kam bashkëpunuar me Specialen, po angazhohemi për Apelin

TË FUNDIT

Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Donika Gërvalla, i ka mohuar akuzat për bashkëpunim me Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke thënë se nuk ka pasur asnjë pikëtakim me Specialen, UNMIK-un apo EULEX-in, as drejtpërdrejt e as tërthorazi. Ajo në një konferencë për media të mbatjur sot ka deklaruar se nuk ka heshtur pas aktgjykimit dënues ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe se si ministre është angazhuar për përgatitjen e hapave ligjorë.

“Deklaratat që më lidhin me bashkëpunimin janë bërë bozë. Nuk ka në asnjë hallkë, as me UNMIK-un, as me EULEX-in, as me Gjykatën Speciale, nuk ka asnjë pikëtakim timin, as direkt, as indirekt”, ka thënë Gërvalla në një konferencë për media të shtunën.

Gërvalla ka thënë se nuk ka heshtur lidhur me aktgjykimin ndaj katërshes së UÇK-së, duke theksuar se reagimi i kryeministrit është bërë në emër të Qeverisë, ndërsa ajo, si ministre e Drejtësisë, është marrë me përgatitjet ligjore.

“Sa i përket heshtjes, nuk kam heshtur, jam ministre e Drejtësisë. Kryeministri ka dhënë një deklaratë në emër të qeverisë. Unë me ekipin tim qysh në ditën e parë i jam futur punës me qëllim që të përgatitemi për një betejë sepse çështja e Speciales është betejë ligjore, jo e deklaratave në media. Duhet të jemi profesionistë të mençur, pa shumë bërtima. Duhet të përgatitemi për instancën e ardhshme (Apelin)”, tha ajo.

Ajo ka kërkuar durim deri në publikimin e aktgjykimit të plotë, duke thënë se atëherë, sipas saj, do të bëhen të qarta faktet dhe do të mund të vlerësohen zhvillimet.

“E kam një shpresë, ata që kanë bërtitur më shumë në këtë lëmi, ata që më së shumti më kanë etiketuar, të paktën para pasqyrës të skuqen që nuk kanë dëgjuar faktet, por kanë zgjedhur t’i përsërisin gënjeshtrat që i kanë vetë në qarkullim”, ka deklaruar ajo.

Tutje ajo ka pohuar se po e analizon projektligjin e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës për Dhomat e Specializuara. Sipas saj, opinioni i kësaj ministrie do t’i niset më pas Qeverisë.

“Shumica e gjërave që lidhen me Dhomat e Specializuara janë cështje të ekspertizës së lartë. Në MD janë ekspertët që po e analizojnë projektligjin e propozuar nga PDK, kur ta kemi gati do të t’ia dërgojmë qeverisë opinionin tonë. Nuk do ta vonojmë, do ta dërgojmë shpejt. Por as nuk do të nxitojmë, e ta paguajmë me gabime të papranueshme”, ka thënë ajo.