Kylian Mbappe është detyruar të largohet nga grumbullimi i Kombëtares së Francës dhe të rikthehet në Madrid për t’iu nënshtruar ekzaminimeve mjekësore, pas lëndimit të pësuar në ndeshjen ndaj Turqisë.
Sulmuesi i Real Madridit shënoi golin e parë të Francës në epokën e re të trajnerit Zinedine Zidane, por menjëherë pas goditjes ai shfaqi dhimbje në gjurin e majtë dhe nisi të çalonte.
Mbappe tentoi të vazhdonte ndeshjen pas ndërhyrjes së stafit mjekësor, mirëpo dhimbjet u rikthyen dhe francezi kërkoi zëvendësimin.
Ekzaminimet fillestare në Francë kanë ngritur dyshime për një dëmtim të tendinit në gjurin e majtë. Trajneri Zidane ka deklaruar gjithashtu se Mbappe ka pësuar hiperekstension të gjurit.
Real Madridi tashmë po pret rezultatet e testeve të mëtejshme për të kuptuar shkallën e dëmtimit dhe kohën e rikuperimit të sulmuesit.
Lëndimi është veçanërisht shqetësues për klubin spanjoll, pasi Mbappe ka pasur probleme edhe më herët me gjurin e majtë, ndërsa Real Madridi e pret një periudhë e ngjeshur e sezonit, përfshirë edhe përballjen e radhës ndaj Barcelonës në “El Clasico”.
