Një gjykatës federale në SHBA hodhi poshtë aktakuzat ndaj ish-drejtorit të FBI-së James Comey dhe prokurores së përgjithshme të New York Letitia James, pasi konstatoi se prokurorja Lindsey Halligan e emëruar nga administrata e presidentit Donald Trump nuk ishte caktuar ligjërisht në detyrë. Sipas gjykatës, Halligan nuk kishte autoritet të paraqiste aktakuzat, gjë që i bën të gjitha veprimet e saj të pavlefshme.
Vendimi konsiderohet një goditje e rëndësishme ndaj përpjekjeve të Trump-it për të përdorur Departamentin e Drejtësisë për të ndëshkuar figurat që ai i konsideron kundërshtarë politikë. Comey dhe James përshëndetën vendimin, duke e quajtur një fitore për pavarësinë e drejtësisë, ndërsa Shtëpia e Bardhë njoftoi se DoJ do ta apelojë, duke këmbëngulur se Halligan ishte emëruar në mënyrë të rregullt.
Aktakuzat ndaj dy zyrtarëve u ngritën pasi Trump i kërkoi prokurores së përgjithshme Pam Bondi të vepronte kundër tyre, një veprim që kritikët e panë si shkelje të normave të vendosura pas skandalit Watergate. Emërimi i Halligan-it, ish-avokate personale e Trump-it u pa si përpjekje për të anashkaluar procesin e konfirmimit në Senat, pasi paraardhësi i saj dyshohet se refuzoi të procedonte me çështjet.
Gjykata theksoi se të gjitha aktet që burojnë nga ky emërim i pavlefshëm, përfshirë aktakuzat, duhen rrëzuar. Megjithatë, çështjet u hodhën poshtë “pa paragjykim”, duke u lënë prokurorëve mundësinë që t’i rihapin nëse respektohen procedurat.
James përballej me akuza për mashtrim bankar, ndërsa Comey akuzohej për pengim të drejtësisë dhe deklarime të rreme para Senatit, të dy ishin deklaruar të pafajshëm. Paralelisht, DoJ ka ngritur aktakuzë edhe ndaj një kritiku tjetër të Trump-it, ish-këshilltarit të sigurisë kombëtare John Bolton, i cili po ashtu është deklaruar i pafajshëm.
