Ish-senatori zviceran, Dick Marty, ka vdekur në moshën 78-vjeçare, ka bërë të ditur partia e tij, Partia Demokracia e Lirë (FDP).
Marty ka qenë autor i raportit për Këshillin e Evropës, në vitin 2010, në të cilin ai ka dënuar krimet e supozuara të UÇK-së, përfshirë “trafikimin e organeve njerëzore”.
Këto pretendime janë hetuar nga prokurori amerikan, Clint Williamson, i cili në korrik të vitit 2014 ka bërë të ditur se gjetjet e ekipit të tij nuk përfshijnë dëshmi të bazuara për trafikim organesh, por për krime të tjera lufte.
Kjo, në vitin 2015, ka çuar në formimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, për të hetuar krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, që dyshohet se janë kryer nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Në Dhomat e Specializuara në Hagë, që ndryshe njihen edhe si Gjykatë Speciale, ka nisur tashmë procesi ndaj disa ish-udhëheqësve të UÇK-së, përfshirë: Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
