Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, sinjalizoi më 3 korrik se vendi i tij nuk është gati ta ratifikojë anëtarësimin e Suedisë në NATO, duke thënë se Stokholmi duhet të punojë më shumë në “detyrat e shtëpisë” që ka.
Duke folur pas një takimi të kabinetit qeverisës, Erdogan përsëriti edhe kritikat e tij ndaj djegies së një kopjeje të librit të shenjtë të myslimanëve, Kuranit, në Suedi javën e kaluar, duke e përshkruar veprimin si një krim urrejtjeje kundër myslimanëve.
“Ne e kemi bërë të qartë se lufta kundër organizatave terroriste dhe islamofobisë janë vijat tona të kuqe”, tha Erdogan. “Të gjithë duhet ta pranojnë se miqësia e Turqisë nuk mund të fitohet duke mbështetur terrorizmin ose duke u lënë hapësirë terroristëve”.
Turqia ka shtyrë dhënien e miratimit përfundimtar për anëtarësimin e Suedisë në aleancën ushtarake, duke e akuzuar vendin se është shumë i butë ndaj demonstratave anti-islamike dhe grupeve që Ankaraja i konsideron si kërcënime të sigurisë. Këto përfshijnë grupe militante kurde që kanë zhvilluar një kryengritje vdekjeprurëse në Turqi që disa dekada.
Partia e Punëtorëve të Kurdistanit, ose PKK, ka zhvilluar një kryengritje 38-vjeçare kundër Turqisë, që ka lënë dhjetëra mijëra të vdekur. Ajo është cilësuar si organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.
NATO-ja dëshiron ta sjellë Suedinë në gjirin e saj kur liderët e NATO-s të takohen në Lituani më 11 dhe 12 korrik, por Erdogan tha se Stokholmi ka ende disa detyrime për t’i përmbushur.
