Dialogu Kosovë-Serbi/ Borrell pret “qasje konstruktive” ndaj propozimit evropian

TË FUNDIT

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po zhvillojnë takimin e radhës në Bruksel, me ndërmjetësimin e shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Paraprakisht, dy udhëheqësit u takuan veç e veç me zyrtarët evropianë.

Borrell tha se pret që palët të kenë “qasje konstruktive” ndaj një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve midis vendeve të tyre.

“Kam mirëpritur në Bruksel kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandar Vuçiq, në takimin e nivelit të lartë të dialogut Prishtinë-Beograd. Në agjendë: propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve. Shpresoj që të dyja palët të kenë qasje konstruktive”, shkroi ai në Twitter.
Vuçiq, përmes një postimi në llogarinë e tij në Instagram, tha se “takimi është i vështirë”.

“E pritshme, nuk ka dorëzim”, shkroi ai, pa dhënë detaje të tjera.

Kurti dhe Vuçiq takuan edhe të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, përpara takimit të përbashkët.

Blloku evropian e konsideron takimin e sotëm mes tyre – të gjashtin me radhë – si më të rëndësishmin, sepse kësaj here, sipas burimeve në Bruksel, nuk do të ketë diskutime për menaxhimin e krizave, por për një dinamikë të re të raporteve.

Të dyja palët pritet të arrijnë pajtueshmëri për një propozim të BE-së për normalizimin e raporteve.

Propozimi, i cili u është dorëzuar atyre qysh në fund të verës, përkrahet edhe nga Shtetet e Bashkuara.