Me 156 vota pro në parlamentin 300 vendesh, qeveria greke i ka mbijetuar mocionit të mosbesimit që ka kërkuar opozita në lidhje me skandalin e përgjimeve.
Disa lista të gjata me personalitete që janë përgjuar në Greqi janë publikuar gjatë vitit të kaluar.
Në muajin nëntor, gazeta opozitare “Documento” zbuloi 33 emra të zyrtarëve qeveritarë, politikanëve të opozitës, gazetarëve dhe biznesmenëve që u gjetën me gjurmë të softuerit ilegal Predator në telefonat e tyre, duke qenë në shënjestër të përgjimeve.
Mes tyre kishte ministra të qeverisë, si ministri i Jashtëm Nikos Dhendias, ish-kryeministri Antonis Samaras, anëtarë të familjeve të qeveritarëve, politikanë të partisë opozitare Syriza.
Qeveria greke ka mohuar dhe vazhdon të mohojë kategorikisht përdorimin e softuerit të paligjshëm . Ajo ka pranuar se inteligjenca shtetërore përgjoi kreun e socialistëve , pa bërë të ditur arsyen. Vetë Mitsotakis, që kur u bë kryeministër në vitin 2019 , ka marrë nën kontroll Shërbimin Informativ , ka premtuar të ndalojë përgjimet e paligjshme.
