Presidenti rus Vladimir Putin akuzoi të dielën Ukrainën se qëndron pas shpërthimit të fuqishëm që dëmtoi urën që lidh Rusinë dhe Krimenë, duke e cilësuar atë një “akt terrorizmi”.
“Nuk ka dyshim që ky është një akt terrorizmi që synon të shkatërrojë infrastrukturën e rëndësishme civile“, tha zoti Putin në një video që u shfaq në kanalin Telegram të Kremlinit.
“Ai (sulmi) u ideua, u krye dhe u urdhërua nga shërbimet speciale të Ukrainës”, tha ai.
Në video presidenti rus u shfaq me Alexander Bastrykin, kreun e Komitetit Hetues të Rusisë, i cili po i paraqiste atij gjetjet e hetimit që po kryehet rreth shpërthimit në urë.
