Brukseli mbështet Ukrainën dhe Moldavinë si kandidate për anëtarësim në BE

TË FUNDIT

Këtë të premte Brukseli mbështeti Ukrainën dhe Moldavinë që të bëhen kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Por, liderët e vendeve të BE-së do të thonë fjalën e fundit në një samit në Bruksel më 23-24 qershor.

Shefja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen deklaroi se “ukrainasit janë gati të vdesin për perspektivën evropiane, ne duam që ata të jetojnë me ne, BE-në”.

Ajo vlerësoi reformat e paraluftës që ndërmorri Ukraina për të trajtuar korrupsionin, për të frenuar ndikimin e oligarkëve dhe për të forcuar të drejtat e pakicave, megjithëse vuri në dukje se duhen rezultate në terren.

Presidentja e KE-së theksoi gjithashtu se vendi gëzon një “demokraci shumë të fuqishme parlamentare, presidenciale” dhe se administrata e saj publike e ka mbajtur vendin në këmbë pavarësisht luftës.

Ajo gjithashtu vuri në dukje se “Ukraina ka një shoqëri civile shumë të gjallë dhe aktive”.

Ky vendim vjen pasi udhëheqësit e tre shteteve më të mëdha anëtare të bllokut – Franca, Gjermania dhe Italia, bënë udhëtimin e tyre të parë të shumëpritur në Kiev dhe deklaruan qartë mbështetjen e tyre për ofertën e Ukrainës.