“Roja kufitare i kishte detyruar të zhvisheshin”, 12 emigrantë gjenden të vdekur nga i ftohti në kufirin Turqi-Greqi

TË FUNDIT

12 trupa të pajetë janë zbuluar pranë një zone kufitare mes Turqisë dhe Greqisë. Lajmi u publikua nga ministri i Brendshëm i Turqisë, Süleyman Soylu, në rrjetin social Twitter.

Ai shkruan se trupat e pajetë mendohet se i përkasin një grupi prej 22 emigrantësh që u kthyen në Turqi nga rojet kufitare greke, duke theksuar se autoritetet dyshojnë se vdekja e tyre ka ardhur si pasojë e temperaturave të ulëta, ndërsa trupat e pajetë, sipas tij, ishin të “zhveshur” dhe pa këpucë.

Ai tha se rojet kufitare fillimisht i kanë detyruar emigrantët të heqin këpucët dhe xhupat dhe më pas i kanë kthyer mbrapsht.

Turqia është një pikë kalimi kryesore për emigrantët nga Lindja e Mesme, Azia dhe Afrika që kërkojnë një jetë më të mirë në vendet e Bashkimit Evropian.

Shumica e emigrantëve të ardhur nga këto vende përpiqen të kalojnë në Greqi ose përmes kufirit tokësor ose përmes rrugëve detare.