Zhvillimi i kapitalit njerëzor me fokus mbajtjen e të rinjve në vend, ka qenë pika për të cilën deputetja e opozitës, Ilire Dauti zgjodhi të kritikojë mandatarin Dimitar Kovaçevski për programin qeverisës.
“Nuk ka nevojë për fjalë në program, mjafton të shkojmë në stacione të autobusëve dhe të shohim se si qytetet zbrazen gjatë ditës me dhjetëra autobusë në të cilët hipin të rinj pa dallim moshës së tyre dhe e lëshojnë vendin”, tha Dauti, transmeton TV21.
Ajo porositi që kur flitet për uljen e nivelit të papunësisë, të shihen edhe parametrat tjerë siç janë përqindja e popullsisë aktive dhe pasive.
Thotë, se derisa kemi ulje të nivelit të papunësisë, siç aludon pushteti, ulet ndjeshëm edhe shkalla e popullsisë aktive.
“Të mos e shikojmë vetëm treguesin e fundit ku flitet për nivelin e papunësisë. I dëgjova deputetët e shumicës, e lexova edhe programin, por edhe mandatari e potencoi atë se ne kemi arritur në vlerën e papunësisë prej 15.7%. Nëse doni ta trajtoni seriozisht këtë, shkoni shikoni kategorinë e qytetarëve që janë të aftë për punë ku dalin dy kategori të tjera: popullsia aktive dhe pasive”, tha Dauti më tej duke shtuar se “në historinë e re të Maqedonisë kemi edhe përqindjen më të ulët të popullsisë aktive”.
“Dhe tërë kjo është rezultat i shpërnguljes”, tha ajo.
Ka kritikuar edhe ministrat e BDI-së.
“Injorojnë femrat e arsimuara dhe të gjithë ata që presin në Entin për Punësim. Dëgjova se BDI ka propozuar katër doktor shkence? Por, unë nuk e di nëse ndonjëherë BDI-së i ka interesuar dhe ka mbajtur llogari se nëse nga ata doktorët që presin për punësim, janë më të aftë se sa vetë ministrat e BDI-së?”, tha Dauti më tej.
Ndërkaq dje mandatari Kovaçevski deklaroi:
“Detyrë e jona është që të rinjtë të mos porosisin bileta të avionit që të dalin jashtë shtetit. Duhet ti mbajmë këtu”, tha Kovaçevski.
