Buxheti i vitit 2027 me rekord prej 7,2 miliardë eurosh! Opozita e kritikon si joprodhues, pushteti thotë se është i dedikuar për projekte

TË FUNDIT

Propozim-buxheti për vitin e ardhshëm 2027 është orientuar drejt sigurimit të financave publike stabile dhe të qëndrueshme, vazhdimit të konsolidimit fiskal dhe mbështetjes së rritjes ekonomike, me fokus të qartë në investimet zhvillimore, përmbushjen e rregullt të obligimeve ndaj qytetarëve dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike.

Kështu deklaroi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, duke e prezantuar propozim-buxhetin për vitin e ardhshëm 2027. Ajo tha se buxheti po përgatitet në kushte të paqëndrueshmërisë globale dhe presioneve të çmimeve.

“Përcaktimi ynë mbetet i qartë: konsolidim gradual fiskal, shpenzim racional dhe efikas i mjeteve publike, arkëtim më i mirë i të hyrave dhe orientim i mjeteve drejt investimeve zhvillimore dhe produktive. Propozim-buxheti për vitin 2027 është në përputhje me projeksionet fiskale afatmesme dhe Strategjinë Fiskale për periudhën 2027–2031. Qëllimi kryesor është ulja graduale e deficitit buxhetor dhe borxhit publik”, tha Koçoska.

Opozita kritikon propozim-buxhetin, duke e cilësuar si jozhvillimor, ndërsa thekson se shteti ndan mjete të mëdha financiare për të mbajtur ekonominë në gjendjen aktuale.

“Shpenzimet e përgjithshme arrijnë në 440,44 miliardë denarë, prej të cilave 399,6 miliardë janë shpenzime rrjedhëse, ndërsa 40,8 miliardë janë shpenzime kapitale. Kjo do të thotë se pothuajse 91% e shpenzimeve janë të dedikuara për funksionimin e përditshëm të sistemit, ndërsa 9,3% ndahen drejtpërdrejt për investime kapitale. Shteti ndan mjete të mëdha financiare për ta mbajtur ekonominë në gjendjen në të cilën është aktualisht”, u shpreh Bytyqi.

Nga VMRO-DPMNE-ja mbrojtën propozim-buxhetin, duke vlerësuar se ai është i dedikuar për zhvillim, si dhe për pagesën e pagave dhe pensioneve, por edhe për përmbushjen e obligimeve për shlyerjen e borxheve në vlerë prej rreth 2 miliardë eurosh.

“Ky është një buxhet që zgjidh probleme, krijon zhvillim, paga më të larta, pensione dhe bursa. Buxhet për projekte dhe buxhet për zhvillim. Por, që të flasim për mundësi të reja, fillimisht duhet të flasim hapur edhe për obligimet. Buxheti i shtetit nuk fillon nga zeroja më 1 janar. Ai bart edhe borxhet që maturohen, interesat që duhet të paguhen dhe nevojën që financat publike të mbeten stabile”, tha Stojanoski.

Për buxhetin folën edhe nga Këshilli Fiskal, të cilët në përgjithësi u përqendruan te fakti se deficiti për vitin e ardhshëm është projektuar në 3,5 për qind të PBB-së, ose mbi 700 milionë euro. Kritikat e tyre lidhen me faktin se deficiti sërish është më i lartë se investimet kapitale, të cilat janë projektuar në 660 milionë euro.