“Njerëzit shkojnë në shtetet ku ka drejtësi”!

TË FUNDIT

“Njerëzit shkojnë në ato shtete ku ka drejtësi, aty ku edhe më të pasurit edhe më të fuqishmit përgjigjen për shkeljen e ligjeve”, kështu u shpreh shefi i shtetit Stevo Pendarovski në fjalimin e tij të fundvitit, duke shtuar se reformat në sferën e sundimit të të drejtës janë prioriteti më i rëndësishëm i shtetit.

“Reformat në sferën e sundimit të të drejtës janë prioriteti më i rëndësishëm i shtetit dhe sipas vlerësimit tim ato do të jenë, dhe duhet të jenë edhe në vitet që janë para nesh, krejtësisht të pavarura nga tempi ynë i afrimit drejt Brukselit. Edhe përkrah përparimit të caktuar, të konstatuar në Raportin e fundit të Komisionit Evropian, mbetet obligimi ynë i vjetër, të cilin jo rrallë nuk e respektojmë, reformat t’i zbatojmë në praktikë deri në fund”, potencoi Pendarovski.

Sipas tij, aspekti më i rëndësishëm në ndërtimin e shtetit ligjor funksional është barazia para ligjit, gjegjësisht, joselektiviteti në drejtësi.

“Me ligjet që i miratojmë nuk duhet në asnjë mënyrë t’i privilegjojmë ata të cilët nuk e respektojnë rendin, përkundrejt atyre që e respektojnë atë. Dëshpëron fakti se, për fat të keq, të gjitha hulumtimet relevante të mendimit publik e dëshmojnë ndjenjën, në zmadhim, të qytetarëve se në shtet sundon kultura e mosdënimit. Mënyra e vetme që ta kthejmë besimin tek institucionet është të kemi përfundim juridik për çdo rast ku ekziston dyshim për kryerjen e veprave penale”, theksoi Pendarovski.