Befason zëdhënësja e Prokurorisë: Në vend ngjarje kemi gjetur 44 trupa të pajetë, i lënduari na ka thënë se ka shpëtuar 8 persona, hetojmë për një udhëtarë!

TË FUNDIT

Në paraqitjen para mediave të prokurorëve bullgarë, është dhënë një variant i padëgjuar deri më tani për aksidentin tragjik në Bullgari.

Zëdhënësja e Prokurorisë së Bullgarisë, Sijka Mileva tha se në vendngjarje kanë numëruar 44 trupa të pajetë, ndërkaq një i mbijetuar i ri u ka deklaruar se ka shpëtuar 8 persona, në Spital janë 7 pacientë, ndërkaq në autobus kanë qenë 52 udhëtarë.

“Sipas të dhënave me të cilat disponojmë, kanë udhëtuar 52 persona, ne i kemi gjetur 44 trupa, ndërsa janë hospitalizuar shtatë persona – katër burra dhe tri gra. Mbetet mister i madh, ku është personi i tetë. Jemi duke punuar në këtë version, nuk dëshirojmë të përhapim dezinformata, mund të jetë në pyetje edhe memoria e keqe e dëshmitarit”, theksoi Mileva.

“Shqyrtohet mundësia që një nga udhëtarët të ketë zbritur dhe ka hipur në autobus tjetër në bazë të listët se në autobus ka pasur 52 udhëtarë”, u tha në paraqitjen para mediave, transmeton TV21.

Ajo është përlotur gjatë paraqitjes para mediave, pasi informacionin se janë shpëtuar 8 persona e ka marrë nga i mbijetuari i moshës së re, siç tha ajo, të moshës së njëjtë me të birin e saj.

“Unë i thash atij ti je hero, sepse ke arritur të shpëtosh 7 persona. Ai më tha, jo, unë kam shpëtuar 8 persona. Tani u krijua dyshimi se ku është edhe një person”, tha Mileva./TV21