Parisi nuk dëshiron që problemin e pazgjidhur mes Maqedonisë dhe Bullgarisë ta trashëgojë nga 1 janari i vitit 2022, kur pritet ta marrë kryesimin me Bashkimin Evropian. Presidenti francez Emanuel Makron ka dërguar një letër deri te të gjithë ambasadorët e vendeve-anëtare të BE-së, në të cilën shpreh synimin e tij për nisje të negociatave aderuese me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë deri në fund të këtij viti.
“Data e parë është 14 dhjetori – afat për dalje nga ngërçi sa i takon kontestit mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Deri në këtë datë, të dyja vendet ballkanike duhet të arrijnë marrëveshje e cila do të çojë deri te tejkalimi i vetos së Sofjes për start të negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë, e me këtë edhe të Shqipërisë në BE. Data e dytë është 31 dhjetori, kur duhet të fillojnë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut“, thuhet në letrën e Makronit.
Bllokada është vendosur nga një vend dhe vetëm Sofja mund ta heqë atë, tha për TV21 Presidenti Stevo Pendarovski.
“E dëgjoj këtë dhe kjo është mirë. Gjithmonë, edhe në jetë, edhe në politikë është mirë të jenë sa më optimistë, por jo vetëm si President apo person përgjegjës për ndonjë dikaster, duhet t’ua tregoni njerëzve gjendjen reale që të mos ketë zhgënjime të mëdha. Unë mendoj se pjesërisht të gjithë ne gjatë muajve të kaluar, thoshim – jemi në prag që t’i nisim, edhe pse kur kthehemi një vit e gjysmë mbrapa bllokada e Bullgarisë ishte këtu, po bëhet, po formohet, ekziston vetëm që nuk është vendosur zyrtarisht”, pohoi presidenti Stevo Pendarovski.
Presidenti Stevo Pendarovski thotë se ka edhe palë të tjera të cilat do ta shfrytëzonin këtë vakum periudhë derisa Maqedonia është para dyerve të BE-së dhe kjo, siç shton, do të ishte tokë pjellore për nacionalizëm.
“Unë mendoj se mungesa e një vizioni të qartë evropian dhe mungesa e përparimit tonë të qartë në integrimet drejt Bashkimit Evropian po krijon tokë pjellore për nacionalizëm”, tha Stevo Pendarovski, president.
Samiti i fundit për këtë vit do të mbahet më 14 dhjetor. Në qoftë se të dyja vendet arrijnë ndonjë marrëveshje, atëherë Unioni do të japë dritë jeshile për këtë proces. E derisa të vijë 14 dhjetori, pritet që ambasadorët francezë në vendet e BE-së të mbajnë një sërë takimesh intensive në bazë ditore për ta zbatuar urdhrin e Makronit.
