Kryeministri Zoran Zaev ende shprehet i bindur, se edhe Ligji për ndërtimet ilegale, i cili u tërhoq pas në seancë qeveritare, siguronte zgjidhje për qytetarët e kategorive sociale dhe se nuk siguronte legalizim të objekteve kolektive të cilat ishin në procedura gjyqësore.
“Unë jam i bindur se edhe ligji ekzistues mund t’i përmbush pritshmëritë e publikut dhe qëllimet për të cilat është propozuar nga ana e Qeverisë. Edhe njëherë të theksoj, se në ligjin në fjalë janë larguar banesat kolektive, gjenden zgjidhje për qytetarët që gjenden nën pragun e varfërisë dhe nuk kanë para që në zgjidhjen paraprake për legalizim t’i legalizojnë shtëpitë e tyre”, tha Zaevi.
Ai shtoi, se “më së lehti është të themi se nuk legalizojmë, por çfarë do të ndodh me qytetarët. Me të vërtetë, ka më shumë se 50 mijë ndërtime ilegale”.
Ndërkaq ka bërë të ditur, se edhe me zgjidhjen e re ligjore qytetarët do të ruajnë kulmin mbi kokë.
“Të jemi racional, të jemi përgjegjës t’i dëgjojmë qytetarët për atë që i pengon, dhe në zgjidhjen ligjore të re atë ta largojmë, dhe më pas t’u japim mundësi që të ruajnë kulmin mbi kokë, shtëpitë…”, tha Zaevi.
Në seancën e sotme të Qeverisë, është tërhequr pas ligji për ndërtime ilegale i cili paraprakisht mori dritë jeshile nga Kuvendi, por nuk u dekretua nga presidenti Stevo Pendarovski.
