Në seancën e 74-të me radhë, që u mbajt sot, Qeveria e Maqedonisë së Veriut solli vendim që të tërheqë pas Ligjin për ndërtimet ilegale.
Siç kuptohet nga kumtesa e Qeverisë, Ligji do të përmirësohet, që sërish të propozohet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut për miratim.
“Në njoftimin, që e pranoi Qeveria është bërë e ditur se gjatë periudhës paraprake, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve ka organizuar takime me përfaqësues të odave dhe asociacioneve të fushës së ndërtimtarisë, urbanizmit, ku kanë marrë pjesë në debate publike, ku janë dhënë vërejtje për zgjidhjen ligjore të caktuar dhe propozime e sugjerime për përmirësimin e tij”, njoftojnë mes të tjerash nga Qeveria, transmeton TV21.
Ky ligj, nuk u dekretua nga presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski edhe pse i njëjti paraprakisht mori dritë jeshile nga deputetët.
Pendarovski pati kritika të shumta, ndërkaq autoritetet deklaruan se do t’i marrin parasysh të njëjtat gjatë rishqyrtimit të Ligjit. Me këtë, procedura për ndryshimin e Ligjit për ndërtimet ilegale do të nis nga fillimi./TV21
