Deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbër Ademi në emisionin #ClickPlus ka njoftuar se grupi parlamentar i partisë nga ku vjen ai, nuk është i njoftuar për atë se Lëvizja BESA tashmë ka propozuar që grafa etnike të jetë opsionale, dhe jo e detyrueshme siç ishte në fillim.
Ai ka deklaruar se do të mbështesin çdo propozim që është në dobi të shqiptarëve, megjithatë shtoi, se për ndryshimet e fundit presin të njoftohen nga BESA që mës pas “t’i shoshisin argumentet”.
“Lëvizja BESA na ka kontaktuar dhe ne kemi thënë se do ta mbështesim… Varësisht se si do të darkdohen. Ne e mbështesim çfarëdo nisme që është në interes të qytetarëve. Për zhvillimet e fundit, për propozimet e fundit çfarë është e vërteta nuk jemi kontaktuar. Presim që të na kontaktojnë, t’i shoshisim zgjidhjet, t’i shoshisim argumentet dhe çfarë është në interes të qytetarëve do ta mbështesim”, tha Ademi.
As grupi parlamentar i ASH-AAA nuk ishte i njoftuar, megjithatë ata nuk dakordohen me propozimin e ri të Besës.
Përndryshe, se grafa etnike mund të jetë opsionale e tha dje vetë Kasami për TV21, duke shtuar se për arritjen e një kompromisi për këtë çështje, ende po koordinohen me partnerin e koalicionit, Lidhjen Socialdemokrate të Maqedonisë.
Nga ana tjetër, ambasadori i Bashkimit Evropian në Vend, ka deklaruar në disa raste se vendosja e etnisë në letërnjoftime është në kundërshtim me rregulloren e BE-së./TV21
