Edhe pse ditë e hënë, Ambasada e Shqipërisë në Shkup ishte e mbyllur. Sigurimi i Ambasadës na informoi se sot ambasada nuk punon. Ndihmë nga ambasada shqiptare pas dy dekadave kishte ardhur të kërkojë familja e biznesmenit Remzi Hoxha, i cili u zhduk në Tiranë në rrethana misterioze.
Familjarët e tij protestuan nga sheshi “Skënderbeu” në Shkup deri para dyerve të Ambasadës së Shqipërisë. Ata kërkuan nga institucionet e Shqipërisë që sa më parë të zbardhin rrethanat e zhdukjes së Remzi Hoxhës. Krahas protestës, familja Hoxha ka organizuar edhe peticion në disa pjesë të Shkupit. “Familja jonë ndjen dhimbje shumë të madhe që edhe mbas 20 viteve, gjegjësisht 3 viteve mbasi ka një fajtor, shteti shqiptar nuk bën asnjë lëvizje për të zbardhur këtë rast. Ne kërkojmë që institucionet relevante, siç janë Parlamenti i Shqipërisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Interpoli dhe të gjitha mekanizmat shtetërore të futen në funksion menjëherë dhe fati i familjarit tonë të zhdukur të zbardhet sa më parë”, thotë Nexhmedin Hoxha, vëlla i biznesmenit të zhdukur.
Ai prej autoriteteve të Shqipërisë kërkoi ekstradimin e shpejtë të të dyshuarit Ilir Kumbaro dhe me këtë t’i japin fund rastit të familjarit të tyre, gjë që e presin tash e njëzet vjet. “Kapeni Ilir Kumbaron dhe të merr fund e gjithë kjo histori e dhimbshme për familjen tonë dhe një histori e njollë e zezë për Shqipërinë”, theksoi Hoxha.
Në përkrahje të protestave ishte dhe analisti politik Ismet Ramadani, i cili tha që familja Hoxha ka të drejtë të dijë të vërtetën mbi zhdukjen e familjarit Remzi Hoxha. “Kam pas edhe angazhim personal për të arritur deri te një e vërtetë, në atë kohë kam biseduar disa herë me kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, të ndjerin Ali Spahiu, i cili e morri përsipër që të vijë deri te e vërteta e zhdukjes së Remzi Hoxhës. Mirëpo edhe ai në përgjigjet e tij pas takimeve të njëpasnjëshme që kemi pasur, tekstualisht më thotë kështu: vij deri diku, por diku më paraqitet një pengesë e madhe për të arritur deri te e vërteta”, theksoi Ramadani.
Me qëllim të zbardhjes së rrethanave në të cilat u zhduk Remzi Hoxha, përveç protestës së sotme në Shkup, familjarët e Remzi Hoxhës paralajmëruan protesta të ngjashme nesër në Prishtinë dhe të mërkurën në Tiranë.
Blerim Ismaili
