Bekim Neziri, kryetar i shtabit qendror zgjedhorë i BDI-së

TË FUNDIT

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti në mbledhjen e dekretimit të shtabeve zgjedhore të partisë së tij sot nuk harroi sërish të rikujtojë luftën e 2001, si udhëheqës i dikurshëm politik. Ai e nisi me një kujtim të tillë duke bërë një paralele me organizimin e sotëm të promovimit të shtabit qendror dhe shtabeve komunale për zgjedhjet e 24 prillit të 2016.

“Kur ju pashë më herët  kaq mirë të organizuar dhe kaq shumë të përkushtuar mu duk se jam para defilimit të ndonjë nga ushtritë më të disciplinuara të botës dhe se ç’mu  rikthyen kujtimet dhe nostalgjia e ushtrive tona. Jam këtu para mbi një mijë anëtarë të Shtabit qendror dhe atyre komunale. Ju jeni ata qe do i prini trupës prej 15 mijë aktivistëve që prej sot marrin detyrat për të takuar dhe biseduar me çdo shqiptarë në çdo cep të vendit tone”.

Ahmeti tha se BDI po bëhet gati për betejën e radhës zgjedhore dhe se siç tha ai, BDI është e gatshme për të dalë fitimtare në garën që po afrohet.

Në këtë organizim partiak përveç dekretimit të Bekim Nezirit për kryetar të shtabit qendror zgjedhor, u dekretuan edhe kryetarët e shtabeve komunale.

Kryetari i ri i shtabit qendror zgjedhor, Bekim Neziri falënderoi kryetarin Ahmeti për besimin e dhënë, dhe ftoi të gjithë shqiptarët të rreshtohen pas liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim.

“Kam nderin të jem kryetar i shtabit zgjedhor. Falënderoj kryetarin Ahmeti për nderin dhe përgjegjësin që ma dha. Maqedonia po ballafaqohet me sfidë të madhe, qytetarët e dinë se Ali Ahmeti dhe BDI do të sigurojnë të ardhme më të mirë. Shenja jonë mbetet transparenca. Ne kemi dhe do të kemi rezultate. Jemi të sigurtë për fitore”, u shpreh Bekim Neziri, Shef i shtabit zgjedhor të BDI-së.

Në solemnitetin e dekretimit të shtabeve zgjedhore munguan shumë emra të njohur të kësaj partie, mes tyre edhe deputetja  Ermira Mehmeti. Por në këtë ceremoni ishte Rafiz Haliti, edhe pse së fundi përflitej për përçarje mes tij dhe kreut të BDI-së, Ali Ahmeti.