Eurodeputeti slloven në ikje dhe raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, Ivo Vajgl, ka folur për sukseset e Maqedonisë, Marrëveshjen e Prespës, PSP-në, si dhe zgjedhjet presidenciale dhe rrezikun nga bojkoti. Vajgl thotë se Maqedonia është një nga tregimet e suksesshme dhe sipas tij, e ardhmja do të vërtetojë vendimet që janë marrë në të kaluarën.
“Kuptohet se i di mirë problemet e Maqedonisë, se nuk është gjithçka perfektë, se afrohen zgjedhjet presidenciale dhe e di se ka akoma dyshime rreth Marrëveshjes së Prespës, ka parti dhe njerëz që mendojnë se Maqedonia nuk është dashur të bëjë lëshime të tilla për të siguruar rrugën e saj për në BE dhe NATO. Por këto janë hipoteza. Unë jam i bindur se ajo që u bë është e arsyetuar dhe se e ardhmja këtë do ta konfirmojë.
Nuk ka dyshime se BE është qëllimi që Maqedonia duhet ta realizojë për të ardhme më të mirë dhe më të sigurt”, thotë Vajgl. Ndërsa sa i përket punës së Prokurorisë Speciale, ai tha se duhet t’i jepet hapësirë që ta bëjë punën e saj dhe të gjithë të interesohen që të ketë kushte normale për të.
