KATËR VJET SALLA UNIVERSALE JASHTË FUNKSIONIT, EKZISTOJNË PROJEKTE POR NUK NDAHEN MJETE

TË FUNDIT

“Kjo është skena sallës Universale në Shkup në të cilën tashmë 4 vite nuk është ngjitur asnjë artist. Në fakt ngjarja e fundit që është zhvilluar këtu, janë “bombat” e kryeministrit Zoran Zaev”, Besir Arifi gazetar.

Po atë natë u shkëput një pjesë e tavanit të sallës, kujton drejtori aktual Filip Avramçev.

“Që atëherë tavani është problematik, ranë disa pjesë, dhe që atëherë Salla Universale është jofunksionale”, tha drejtori i Sallës Universale, Filip Avramçev.

Projekte për rikonstruim ka, shpjegon Avramçev, por mungojnë paratë.

“Tashmë ka tre projekte valide me të cilat mund të punohet port ë gjitha janë me shuma të larta dhe duhen shumë mjete që të bëhet, ndërsa momentalisht as Qyteti i Shkupit e as Ministria e Kulturës nuk kanë aq mjete që t’i japin për rikonstruimin e sallës Universale”, theksoi Filip Avramçev, drejtor i Sallës Universale.

Salla është nën përgjegjësinë e Qytetit të Shkupit. Nga atje thonë se mbështesin projeket për Universalen, pa dallim nëse bëhet fjalë për rikonstruim apo ndërtim të objektit të ri. Por financiarisht nuk e përballojnë, andaj as nuk e kanë në buxhet planin e 2019-tës.

“Ndërtimi i objektit të ri të Sallës Universale gjithnjë ka qenë projekt që do të financohej nga ana e shtetit. Bëhet fjalë për projekt kapital që do të kushtonte dhjetëra million euro dhe është harxhim të cilin Qyteti i Shkupit nuk mund ta përballojë”, thonë nga Qyteti i Shkupit.

Edhe nëse ndonjëri prej tre projekteve për rikonstruim fillon të realizohet, drejtori Avramçev thotë se do të duheshin tre vite punë, e kjo nënkupton edhe tre vite të tjera pa sallë.

Në maj 2018 Kryetari Petre Shilegov dhe Ministri I atëhershëm të kulturës Allagjozovski nënshkruan marëveshje që bashkarisht ta rinovojnë sallën, por asgjë nuk ndodhi. Më pas vendin e Allagjozovskit e zuri— Ministri Asaf Ademi, e njëjtë edhe gjatë mandatit të tij disamujor nuk u bë asnjë hap. Tani mbetet të shihet se kush do të jetë ministri i ri i kulturës dhe nëse do t’ia zgjasë dorën qytetit të Shkupit për Sallën Universale, që është objekt simbol i kryeqytetit. Me punë ka nisur në vitin 1966 ndërsa ka kapacitet prej 1500 ulëseve, të cilat tashmë 4 vite i ka zënë pluhuri.

Përgatiti: Besir Arifi