9 zyrtarë policorë janë arrestuar mbrëmë në pikën kufitare në Tabanoc. Ne mesin e tyre janë të përfshirë komandanti i pikës kufitare, zëvendëskomandanti, shefi i ndërrimit dhe 6 policë të tjerë.
E këto arrestime krijuan kolona të gjata dhe 3 orë pritje në kufi, pikërisht në kohën kur në Maqedoni për festat e fundvitit vijnë mërgimtarët.
Njeriu i parë i policisë, Oliver Spasovski sot kishte takim me gazetarët, mirëpo për këtë ngjarje nuk deshi të jap deklaratë para kamerave.
Nga ajo që sqaroi, është se policët e arrestuar dyshohen për “ryshfet” dhe “shpërdorim të detyrës zyrtare”.
“Ajo që ndodhi mbrëmë në pikën kufitare Tabanoc është pjesë e luftës kundër korrupsionit. Mbrëmë kishim realizim të ngjarjes ku kemi 9 persona të arrestuar nga Sektori për parandalim të krimit të organizuar pranë MPB-së. Pra janë arrestuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimeve, si dhe për marrje të ryshfetit nga nëpunës policor”, tha Oliver Spasovski, ministër i Brendshëm.
Aksionin e ka kryer MPB në bashkëpunim me Prokurorinë për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit. Sipas informacioneve, paratë janë gjetur në paketë të cigareve, ndërsa të arrestuarit nuk kanë pranuar fajin, duke u arsyetuar se paratë nuk janë të tyre, por se dikush ua ka kurdisur.
“Janë bërë bastisje edhe në objektet ku punojnë dhe në shtëpitë e tyre, me qëllim që të gjenden lëndët e kërkuara e që janë të lidhura me veprat penale. Kështu gjatë ditës së sotme po punohet në procedurat e mëtutjeshme dhe në zbardhjen e rastit”, pohoi Oliver Spasovski, ministër i Brendshëm.
Rast i njëjtë për marrje të ryshfetit nga ana e zyrtarëve policorë ka ndodhur edhe në pikën kufitare në Bllacë. Ministri Spasovski njoftoi se gjatë viti 2022 në bashkëpunim me Prokurorinë për ndjekje të krimit dhe korrupsionit janë zbuluar 124 vepra penale të lidhura me korrupsion e ku pjesa më e madhe e kryerësve të veprave janë të punësuar në institucionet shtetërore, institucione publike dhe ndërmarrje publike.
