Secili refugjat mbart me vete historinë e tij të jetës. Prej vitit 2013 e deri më sot, në shtëpinë e saj në Veles, ka pranuar mijëra refugjatë si mysafirë. Për numrin nuk dëshiron të flasë, sepse siç thotë, bëhet fjalë për jetën e këtyre njerëzve, e jo për numra. Humanitarja Lençe Zdravkin, me vete sjell mijëra histori për jetën e njerëzve të cilët kundër vullnetit të tyre ishin detyruar t’i braktisin shtëpitë dhe të afërmit e tyre dhe në pasiguri të nisen drejt vendeve të panjohura.
“Gjatë gjithë këtyre viteve përveç momenteve të trishtueshme, kishte edhe të bukura. Nuk mund t’i harroni ose t’i nxirrni nga shpirti kur kishte shumë aksidente, kur shumë djem humbnin jetën nëpër hekurudha, kur duhej të varroseshin, kur duhej të lajmëroheshin familjet e tyre, kur pas disa vitesh duhej të priteshin familjet e tyre për të shkuar në varrin e fëmijëve të tyre…”, tha Lençe Zdravkin.
Këto janë momente të cilat shkruhen në zemër dhe nuk mund t’i fshini kaq lehtë, rrëfen Lençe, duke shtuar se ka pasur edhe momente të bukura kur janë lindur fëmijë, e pikërisht ajo ishte aty për të ndihmuar që të vijnë në botë. Edhe përkundër ndihmës së vogël që ua ka dhënë, ka mësuar shumë për kulturën, mentalitetin dhe traditën e tyre:
“Nëse kanë vëllezër apo motra të vogla, ata nuk guxojnë të shkojnë në shkollë, lirisht mund të vijnë në shtëpi dhe nëse kanë motra të vogla mund t’i marrin dhe t’i martojnë me kë duan ata, e jo me kë do familja. Djemtë që vijnë e që janë arsimuar duan ta ndryshojnë kohën, duan që gratë e tyre të punojnë dhe të edukohen”, u shpreh Lençe Zdravkin.
Lençe thotë se ksenofobia që ekziston në vendin tonë është e paarsyeshme.
“Të mos krijohet ksenofobi. Te ne vazhdimisht lëvizin njerëz nga Afganistani e deri tani nuk ka ndodhur asgjë, edhe ata janë njerëz si ne. Opinioni publik është i shqetësuar këto ditë, por pa nevojë. Sipas informacioneve të mediave dhe Qeverisë do të pranojmë refugjatë, por për një periudhë të shkurtër”, shtoi Lençe Zdravkin.
Lençe thotë se pasi të largohen nga shtëpia e saj, refugjatët nuk harrojnë t’ia urojnë ditëlindjen apo ndonjë festë dhe t’i telefonojnë kur mbërrijnë në destinacionin e planifikuar. Prandaj, jorastësisht Lençe është fituese e çmimit “Nënë Tereza”.
