72 të infektuar dhe dy viktima nga Kovid-19, hymë në fazën e dytë, Filipçe paralajmëron ashpërsim të masave

TË FUNDIT

Gjatë 24 orëve të fundit, në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 72 raste të reja të të infektuarve dhe dy viktima. Me këto të dhëna, numri i të infektuarve aktiv në vend është 514, kurse i viktimave 18-të. Viktimat janë nga Struga dhe Kumanova.

“Në Klinikën për sëmundje infektive dhe gjendje febrile ka ndërruar jetë një mashkull nga Labënishta e Strugës, në moshën 63-vjeçare i sjellë me një pasqyrë klinike shumë të rëndë dhe një person nga Kumanova në Spitalin “8 Shtatori”. I ndjeri është diagnostikuar pozitiv me Kovid-19 më 1 prill”, njoftoi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Siç mund të shihet edhe nga të dhënat, numri i të infektuarve shkon duke u rritur nga dita në ditë. Për këtë, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe njoftoi se nesër është e mundur që të kërkojnë nga Qeveria të ashpërsojnë masat për parandalim të virusit korona.

“Për shkak se kemi çdo ditë e më shumë numër të të infektuarve, kjo është e dukshme dhe këtë e konstatuam në mbledhjen e Komisonit për sëmundje ngjitëse, se hymë në fazën e dytë të epidemisë dhe dua këtu t’i dërgoj porosi, qytetarët. Nesër do të kemi diskutim në Komisionin për sëmundje ngjitëse dhe deri te Qeveria është e mundur të kërkojmë ashpërsim të masave për parandalim të shpërndarjes së mëtutjeshme të virusit”, paralajmëroi Filipçe.

Në takimin joformal me gazetarët, është theksuar se mund të vijë edhe deri te ndryshimi i mënyrës së trajtimit të të infektuarve, ndërkaq, për ta përballuar kulmin e epidemisë, në funksion janë futur edhe Spitali “8 shtatori” dhe Spitali i Manastirit. Do të hapet sërish thirrje për respiratorët, por kriter këtë herë do të jetë “kush i sjell më shpejtë, ai do të fitojë”.

Edhe pse numri të infektuarve shkon duke u rritur, ka rënë numri i të shëruarve. Nga Klinika për sëmundje infektive dhe gjendje febrile, do të lirohen vetëm 3 pacientë.

Në Klinikë të shtruar janë 74 pacientë, prej të cilëve 15 janë në gjendje më të rëndë shëndetësore. Sipas qyteteve, deri tash më së shumti raste të të infektuarve ka Shkupi, me 235 raste. Pas saj vjen Kumanova me 114 raste. 49 raste i ka Dibra, ndërkaq 33 raste Prilepi. Tetova ka 29 raste, kurse Struga 24 raste. 14 raste ka në Koçan, ndërkaq në Veles 10. Qytetet tjera kanë prej 6 deri në 2 raste të të infektuarve.